AKTUALITET, 28 Qershor 2022, 16:14

Samiti i NATO-s/ Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka nisen drejt Madridit

Samiti i NATO-s/ Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Jashtme Olta

Delegacioni shqiptar që do të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s, i cili është i pari që nga nisja e luftës në Ukrainë, është nisur për në Madrid.

Mësohet se delegacioni kryesohet nga kryeministri Rama dhe pjesë e tij janë ministrja e Jashtme Olta Xhaçka dhe me shumë gjasë edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

“Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka është nisur sot për  samitin e NATO-s që do të mbahet në Madrid, si pjesë e delegacionit të kryesuar nga kryeministri Edi Rama.  

Ministrja Xhaçka do të zhvillojë takime me homologë të Finlandës, Holandës dhe Norvegjisë.  

Në samit do të diskutohen ndër të tjera vazhdimi i mbështetjes ndaj Ukrainës për një afat më të gjatë, si dhe dakordësimi mbi Konceptin Strategjik 2022”, njofton Ministria e Jashtme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë më 27 qershor se në samitin treditor, do të arrihet pajtueshmëri për një paketë të re të ndihmës për Ukrainën në fushën e komunikimeve, sistemeve anti-dronë dhe naftës.