AKTUALITET, 29 Nëntor 2021, 22:35

“Rrëshqitje dherash e bllokime në disa akse”/ Ministria e Mbrojtjes njoftim mbi situatën e motit: Kemi rritje të nivelit të lumit Vjosë në urën e Mifolit, ja zonat problematike

“Rrëshqitje dherash e bllokime në disa akse”/ Ministria e

Situata nga reshjet e shiut dhe dëborës vijojnë të paraqesin problematika në disa zona të vendit. Ministria e Mbrojtjes njofton se në akset Tamarë-Qafa e Bërdalecit dhe Theth-Qafë Thore ka pasur rënie gurësh e inertesh duke bllokuar rrugë, por ka nisur puna nga firma kontraktore për t’i pastruar.

Policia është vendosur në rrugën e Arbrit ku po punohet për të liruar qarkullimin e automjeteve. Mësohet se shkak i bllokimit të saj janë bërë reshjet e dëborës e cila ka bërë që dy automjete të rrëshqasin.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

Ministria e Mbrojtjes njofton se në të gjithë vendin ka patur reshje me intensitet shumë të lartë, të cilat kanë sjellë problemtaika si; rrëshqitje gurësh, dherash, bllokime rrugësh nga dëbora etj., të cilat janë menaxhuar dhe rikthyer në gjendje normale nga strukturat e emergjencave civile.

Të gjitha kapacitetet e sistemit të Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë, për të përballuar situatën dhe për të ndihmuar në zhvendosjen e popullsisë, gjësë së gjallë dhe bazës ushqimore nga zonat më të rrezikuara në zona më të sigurta, në rast se do të jetë e nevojshme.

Në qarkun e Shkodrës firmat kontraktore kanë punuar për të pastruar akset rrugore Tamarë- Qafa e Bërdalecit,ku ka pasur rënie gurësh dhe inerte si dhe aksin Theth- Qafë Thore nga dëbora.

Nën monitorim është situata e krijuar nga fryrja e lumit Erzen, në zonën e Sukthit.

Me vëmendje po ndiqet situata në Dibër, ku policia po drejton kalimin e mjeteve drejt Dibrës dhe Tiranës, në aksin rrugor Dibër- Tiranë pranë tunelit, ku për shkak të rrëshqitjes së 2 mjeteve nga dëbora u bllokua qarkullimi.

Aktualisht strukturat e emergjencave civile janë në ndjekje të situatës në qarkun e Elbasanit.Situata paraqitet e normalizuar në aksin rrugor Librazhd-Zgosht, ku pati rënie të gurëve në rrugë. Aksi rrugor Bajram Curri- Valbonë, në qarkun e Kukësit është i hapur dhe pa probleme. Edhe në Korçë po punohet me borëpastruese  për të mbajtur të hapur aksin rrugor Boboshticë- Dardhë, ku ka pasur reshje dëbore.

Strukturat vendore të emergjencave civile janë në gatishmëri edhe në qarkun e Vlorës, ku ka një ngritje të nivelit të Lumit Vjosa në Urën e Mifolit.