AKTUALITET, 22 Prill 2023, 10:37

Revoltohet Roland Bejko: Nuk më intereson mungesa e Gazment Bardhit në takime, turp për ata që rrinë me një këmbë në Foltore dhe një në PD

Revoltohet Roland Bejko: Nuk më intereson mungesa e Gazment Bardhit në

Kandidati i PD për Tiranën, Roland Bejko deklaroi dje se nuk i intereson për mbështetjen e deputetëve të forcës së tij politike pasi të gjithë kanë bërë zgjedhjet se ku do qëndrojnë.

Bejko duke folur për Gazmend Bardhin tha se është turp për ata deputetë që ende se kanë gjetur rrugën, dhe janë ende me një këmbë në PD dhe një këmbë te Foltorja.

“Ftesat i bën partia, Basha më duket është jashtë shtetit. Edhe deputetët e tjerë. Unë nuk bëj listë prezencën. Ata kanë bërë zgjedhjen e tyre. Unë jemi mbështetur mjaftueshëm nga ata deputetë që e kanë ndarë mendjen të rrinë në PD euro-atlantike. As s’më ha meraku fare për Bardhin dhe këdo tjetër. 

Secili ka qëndrimin e tij, s’kemi situatën më të mirë në PD, jemi në situatën më të keqe që ka pasur PD që nga ’92. Punë se kam me asnjë deputet, faleminderit ata që më mbështesin, turp i madh për ata që se gjejnë rrugën, e kanë një këmbë tek PD e një të foltorja. Flas në emër të gjithë atyre demokratëve. Ata deputetë që se kanë gjetur rrugën sot, s’do e gjejnë as pas datës 14”-deklaroi Bejko.

Bejko thotë se demokratët do të zgjedhin një parti pro perëndimit dhe s’do të shkojnë tek një non grata si Berisha, i izoluar nga dy aleatët më të mëdhenj të vendit tonë, SHBA dhe Britania e Madhe. Bejko hedh akuza ndaj Berishës se i ka çuar demokratët tek një i majtë si Ilir Meta. Ai thekson edhe njëherë që Berisha duhet të ikë dhe t’i lërë demokratët që të bashkohen.

“Berisha duhet të largohet nga politika se ka ndarë PD në disa pjesë. Berisha ka marrë zvarrë një pjesë të mirë të PD, sidomos militantët, i ka marrë dhe i ka çuar te LSI. I  kërkoj sepse kam të drejtën orale, që unë dhe disa të tjerë në PD, që prej 32 vitesh i kemi qëndruar Berishës në krah. Berisha ka shkuar te një parti tjetër, për momentin ka gjetur LSI. Të largohet dhe t’i lërë demokratët të lirë që ata të bëjnë zgjedhjen e tyre dhe PD të bashkohet. Berisha u kthye në kohën që s’duhej. U kthye se iu prish interesi personal”, tha Bejko në Report Tv.

Bejko tha se Berisha e ka bëtë ketë koalicion pasi e sheh Metën si pasardhësin e tij dhe do t’i japë partinë.

“Na vërtetoi atë që thonim që do e çojë partinë te Meta se e sheh si pasardhës të tij. U reflektua edhe në fushatë. Tani ta kuptojnë demokratët dhe militantët. Do shkojnë të votojnë, ata që do votojnë për Metën, do votojnë për të bërë Metën me parti. Me këta këshilltarë Meta do bëjë trafikun e radhës. Nesër do i prishen interesat e partisë dhe do shkojë te Edi Rama. Meta është një pelegrin politik dhe udhëton aty ku i dalin interesat”, tha Bejko.

Ai komentoi edhe kundërshtarin kryesor politik, Erion Veliaj, i cili kërkon një mandat të tretë në krye të Tiranës. Ai shprehet se Erion Veliaj mbjell pemë për të hequr imazhin e betonit, që sipas tij e ka betonizuar Tiranën në këto 8 vite që e ka qeverisur.

“Tiranës ia ka marrë frymën politika. E di që e ka qelbur diku dhe mundohet të krijojë imazh për ta rregulluar diku, ka mbjellë 8 mln metër katrorë beton, që i bie gati 1 mln metër katrorë në vit, i duhet që të mbjellë ndonjë pemë të shuajë imazhin e betonit. Shqipëria, është qyteti më i betonizuar, hapësirat e gjelbëtra mungojnë. Tiranës ia ka zënë frymën, qeveria e cila përfaqëson oligarkinë politike, Rama, Berisha dhe Meta. Pjesa tjetër janë oligarkia financiare dhe ekonomike që është ortake, kanë pastruar në Tiranë 1.6 mld euro”, tha Bejko.
Bejko thotë se Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama janë trekëndëshi i Bermudës dhe nuk bëjnë dot pa njëri tjetrin.

“Rama s’bën dot pa ata, janë trekëndëshi i Bermudës që s’bëjnë dot pa njëri-tjetrin”, tha Bejko.  
Kandidati për Tiranën u ndal edhe në programin e tij për kryeqytetin, duke thënë se propozon një Tiranë policentrike, ulje me 50% të taksave, kopshte dhe çerdhe jo më larg se 15 minuta banesave të fëmijëve, hapjen e 5 tregjeve në pikat hyrëse të Tiranës apo edhe Shpallja muze e burgut 313.