AKTUALITET, 1 Korrik 2026, 13:51

Replikat/ Task-Forca për Krimet Zgjedhore, Strazimiri-Brahos: Revoltohem kur thua 'ka pasur efekt parandalues'! Kreu i SPAK: E thotë ODIHR, nuk i vlerësoj unë zgjedhjet

Replikat/ Task-Forca për Krimet Zgjedhore, Strazimiri-Brahos: Revoltohem

Në bllok, opozita u ankua në komisionin e Reformës Zgjedhore për 11 majin dhe sistemin e patronazhimit, ndërsa në seancë dëgjimore ishte thirrur kreu i SPAK, Klodian Braho. Deputeti demokrat, Gent Strazimiri iu drejtua Brahos duke i thënë se revoltohet kur dëgjon se ai raporton se task-Forca për krimet zgjedhore pati efekt parandalues më 11 maj. Por, Braho u kujdes ti kujtojë se nëse do t’i referohet raportit të OSBE-ODIHR duhet të lexojë edhe atë që shkruhet qartë për Task-Forcën, pra që ka pasur efekt parandalues në krimin zgjedhor. Braho nënvizoi se nuk është ai kompetent për të vlerësuar procesin zgjedhor.

Gent Strazimiri: Efekti i një veprimi jo etik kur vjen nga kryeministri në fushatë elektorale që quan kinezëri kodin zgjedhor, që iu thotë policëve, mësuesve, mblidhni votat për PS, u thotë votuesve të opozitës, nëse votoni prapë për PD asnjë kokërr leku nuk keni për të pas. Këto janë veprime joetike, por janë frymëzimi nga kreu më i lartë i ekzekutivit dhe konvertohet në vepra penale në mënyrë masive, aq sa siç shprehet raporti i OSBE-ODIHR, thotë humbet vija e mes shtetit, administratës dhe partisë në pushtet. Aty ke pafund vepra penale të parashikuara apo të paparashikuara në kod po të duash të punosh. Patronazhimi nuk është vepër penale, mënyra se si realizohet, fakti që AKSHI ka përgatitur manual për tua shpërndarë armatës së PS. Mund të thuash që kemi vakum, por ti se thua që kemi vakum në kodin penal për këtë punë. Më jep instrumentet. Ajo që më thua dhe që më revolton, është fakti që e konsideroni që ka pasur efekt parandalues. Se çfarë u parandaluar ta thotë OSBE-ODIHR. Që në 2015 nis patronzhimi dhe se si rriten rekomandimet. Aty tregohet se sa rëndë është situata. Raporti të tregon ku është tumori, këtu jo, është i shëndetshëm. U përpoq SPAK të lexojë riskun më herët dhe të koordinojë reagimin. OSBE të thotë SPAK dhe policia dhe çdo organ që kishte detyrë të hetonin ishin zhgënjyes. Vetëm 5 procedime janë dërguar në gjykatë. Sa kanë qenë denoncime që gishtin e vënë tek qeveria dhe sa tek opozita.

Klodian Braho: Nuk është kompetenca jonë të bëjmë vlerësime të procesit zgjedhor. Nëse do t’i referoheni raportit, do i referoheni po atij raporti që strategjinë për parandalimin e krimit zgjedhor për SPAK pati efekt parandalues. Është vlerësim i raportit. SPAK nuk vendos se si një institucion duhet të bëjë referimin, SPAK ka detyrën të vlerësojë çdo referim që vjen nga secili institucion dhe nuk i imponohemi ne policisë apo institucioneve se si duhet ta bëjnë referimin dhe s cili subjekt është i kallëzuar në referim nuk e kemi të dhënë në sistem. Për ne s’ka rëndësi se cili subjekt është i kallëzuar, ka rëndësi kush kallëzon dhe çfarë provash ka.