AKTUALITET, 16 Qershor 2025, 21:27

REAGIMET E VELIAJT/ Preç Zogaj: Nuk pijnë ujë kërcënimet. Enton Abilekaj: Veliaj mund të favorizohet nga Gjykata e Lartë

REAGIMET E VELIAJT/ Preç Zogaj: Nuk pijnë ujë

Në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV u diskutua për reagimet më të fundit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në Tiktok, ku përmend Nesti Angonin dhe kundërshtarët e tij. 

Analisti Preç Zogaj u shpreh se "nuk pi ujë asnjë kërcënim" dhe shumë politikanë që e kanë ndjekur strategjinë e intimidimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve u është kthyer në bumerang.

Ndërsa analisti Enton Abilekaj u shpreh se Veliaj mund të favorizohet nga Gjykata e Lartë sepse kontrollohet nga grupi i tij dhe është ky vendim kritik për Veliajn nëse do të rrijë apo të dalë nga burgu.

Biseda

Preç Zogaj: Pala e akuzuar ka të drejtën që të mbrohet në të gjitha mënyrat. Vetë Veliaj është penalizuar një herë për shkeljen e rregullave të komunikimit Nuk pi ujë asnjë kërcënim, as me tribuna, as në TikTok. Shumë politikanë që e kanë ndjekur strategjinë e intimidimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve u është kthyer në bumerang. Nuk është detyra e gjyqtarëve që të acarohen, por nuk tremben. Kërcënimet dhe intimidimet nuk prodhojnë asgjë. Për Erion Veliajn ka një çështje që marrëdhënia e tij me vartësit mund të ndikojë për të penguar dëshmitarët. Nuk e di a kanë ngelur të tjerë për t’u pyetur. Ajo që ngelet në fund është vepra penale.

Andi Tela: Jemi të qartë se kemi diskutuar se precedentët nuk janë në favor të zotit Veliaj. Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit. Edhe për faktin që Veliaj është në detyrë, ka një precedent zotin Beleri që ishte nominuar në krye të bashkisë Himarë dhe Gjykata e Lartë konstatoi se është më mirë që të rrijë në burg për llogari të SPAK-ut se sa të shkojë dhe të betohet një ditë në bashkinë e Himarës. Do të duhej një argumentim i Gjykatës së Strasburgut për t’i dhënë liri Erion Veliajt.

Enton Abilekaj: Po të llogarisësh lidhjet që kanë brenda PS-së ndikimet që kanë grupimet te Gjykata e Lartë, Veliaj mund të favorizohet. SPAK-un në përgjithësi e mori Rama, pra BKH-në, ndërsa Gjykatën e Lartë ka influencë grupi i Veliajt. Ne kemi një kryetar të Gjykatës së Lartë që kryen një aktivitet për paligjshëm ndaj Gjykatës Kushtetuese sot. Veprimtaria e Veliajt në TikTok dhe në Facebook dhe Instagram janë të ndryshme. Ai është marrë me personazhe konkrete dhe përmbajtja e tyre është e kundërta me përmbajtjen servile ndaj Ramës në Facebook. Ka një luftë që zien, por nuk e dimë me fakte dhe kjo luftë po vepron tani, kur është ky vendim kritik për Veliajn. Do të merret vendim nëse del apo do të rrijë shumë gjatë në burg dhe nëse del a do ta marrë bashkinë e Tiranës.