TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kur kanë mbetur vetëm pak orë që kryeministri Edi Rama të shkojë në Prishtinë, nga Shkupi i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të reflektojë dhe ta pranojë një takim me të.
"Ta trajtojmë mes shqiptarësh. Kam akoma shpresë se Albini nuk e ka harruar kanunin që kur hyn në shtëpi edhe hasmit i hapet dera dhe duhet ta nxjerrsh kur ai ta mbarojë fjalën.’- tha Rama.
Deri tani është konfirmuar vetëm takimi i kryeministrit Edi Rama me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani ndërsa pas orës 17:15 kohë kur ai mbaron takimin me Konjufcën është lënë e hapur mundësia e një takimi me kryeministrin Albin Kurti, nëse ky i fundit pranon.
Edhe pse tashmë nisma e Ballkanit të Hapur është lënë mënjanë por kryeministri Edi Rama vijon të jetë i bindur se Kryeministri Albin Kurti ka gabuar duke mos marrë pjesë në këtë nismë.
“Nuk dua fare në këtë proces për organizimin e samitit të Berlinit dhe domosdoshmërinë e të futurit bashkë të gjithë nën ombrellën e Berlinit. Dua që Ballkanin e Hapur ta lë mënjanë. Nuk dua ti jap askujt asnjë mundësi që të vijojë të flasë për paralelizma dhe alternativa. Kjo është shumë e qartë. Për mua Ballkani i Hapur ka bërë shërbim të madh. Një mijë herë të kthehesha do e bëja prapë. Kush nuk ka marrë pjesë në Ballkanin e Hapur ka bërë gabim për veten e vet” tha Rama.
Kryeministri Edi Rama udhëtoi sot paradite drejt Maqedoninë e Veriut në kuadër të turit Ballkanik që po zhvillon për samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet për herë të parë në Tiranë më 16 tetor.
Sot dhe nesër Rama do të zhvillojë takime në Beograd, Sarajevë, Prishtinë, Shkup e Podgoricë.
Në orën 16:00 kreu i qeverisë do të jetë në Prishtinë, ku do të takohet me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ndërsa në orën 17:15 pritet të ketë një takim me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca.
Megjithëse Albin Kurti refuzoi dje takimin me kryeministrin Edi Rama, ky i fundit në axhendën e publikuar sot, thotë se është ende në pritje të një konfirmimi zyrtar. Kjo pasi qeveria shqiptar i ka firmosur 13 marrëveshjet që pritet të nënshkruheshin në mbledhjen e 2 qeverive.