AKTUALITET, 10 Korrik 2023, 22:03

“Pse gërthet dhe grindesh, çfarë kërkon më nga jeta?!”/ Rrëfehet Gjegj Luca: Kam patur shok të ngushtë “hallin”…

“Pse gërthet dhe grindesh, çfarë kërkon më nga

Biznesmeni Gjergj Luca, ka dhënë një intervistë për Ylli Rakipin në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për veten, biznesin, Shqipërinë dhe politikën.

Luca është pyetur nga Ylli Rakipi, për protagonizmin që ai ka në jetën publike, ku shpesh shfaqet i indinjuar dhe publikon video në rrjetet sociale.
Ai deklaroi se e ka ndërtuar perandorinë e tij të biznesit, fillimisht i detyruar “nga halli”, ndërkohë që deklaroi se “ëndrra nuk ka kufij”.

Pjesë nga biseda:

Ylli Rakipi: Gjergj Luca, një njeri i pasur që duket se ka marrë nga kjo botë ç’ka dashur.  Pse gërthet Gjergj Luca? Pse grindet? Çfarë kërkon më shumë?

Gjergj Luca: Gjergj Luca është shumë i pasur, shumë i pasur shpirtërisht dhe shumë rebel mendërisht në atë që bën. Për pasurinë që sheh 99.9% e shoqërisë shqiptare, Gjergj Luca është shumë i varfër dhe është në panik. Gjergj Luca ka kaq shumë projekte në kokën e tij që do ti realizojë, përpara se ti mbyllet jeta, ka kaq shumë ëndrra për të mbyllur këtë cikël, këtë mbretëri që dua të ngre, sipas filozofisë time, siç thotë Kanti, sipas perceptimit të çdo njeriu, mua më duket vetja shumë i varfër, në raport me mënyrën se si e mendojnë shoqëria dhe njerëzit që kanë bërë lekët kollaj. Nuk e di a do të më dalë jeta dhe a do të më respektojnë bankat, sepse unë vazhdoj që sa mbyll një borxh më del një tjetër.
Pasuria tjetër, që është shumë më e madhe sesa monedha, është një pasuri që mendoj se është thelbi, pasurinë time do ta lë në një motivim për brezat ku të punohet, të ndërtohet dhe të krijohet një imazh për vendin.
Nuk ka lakmuar Gjergj Luca, të bëjë pasuri me pallate, me tendera, me përralla, por ka gjetur profesionin më të vështire, detin, që është një “minierë” e madhe dhe mund të jetë më e vështirë se sa miniera, kam gjetur fabrikat për tu marrë me njërëzit, jo rrugën më të shpejtë për të shkuar te objektet.

Ylli Rakipi: Po dukesh si i pakënaqur me klithmat që lëshon. Dukesh si i pakënaqur nga kjo botë?

Gjergj Luca: Po normal jam i pakënaqur, sepse mendoj që thelbi i kapitalizmit, shpirti dhe mendja e individit dhe mënyra si e sheh jetën, duhet që të kthehet në sistem. Që të kthehet në sistem, duhet të ketë ligje dhe njerëz që i bëjnë ato.
Ato ligje, duhet të jetë sistem për të gjithë, që mbrapa kur të ikim do të lëmë sistemet për të drejtuar njerëzit. Jo të ndodhë kjo tallava 30 vjeçare, që njerëzit këtu drejtojnë sistemet dhe futen nëpër sisteme sa herë kanë dëshirë.  Kjo është filozofia e kapitalizimit dhe komunizmit.

Ylli Rakipi: Këtu nuk është se kemi sistem vlerash.

Gjergj Luca: Këtu ka një luftë shumë të madhe për të krijuar sistemet. Unë mendoj që beteja që po bëhet në Shqipëri, po bëhet betejë shumë e ashpër për të krijuar sistemet. Lufta për të gjetur njerëz të ndërgjegjshëm, të pastër dhe idealistë, që kanë dëshirë të bëjnë këtë vend, janë njerëzit si puna jonë që rrimë nëpër prodhime, punojmë 24 orë në ditë, jo njerëzit që rrinë afër politikës. Këta njerëz, që rrinë afër politikës, tallavasë së adminitratës, përrallave në këtë vend, këta njerëz të pandërgjegjshëm, nuk dalin në betejë për të provuar veten.

Ylli Rakipi: A ke menduar ndonjëherë me veten tënde, që punon, klith, qetësohesh, klith prapë, a ke menduar ndonjëherë, pse nuk lë gjë pa thënë dhe pa bërë dhe tërheq vëmendjen?

Gjergj Luca: Te njeriu janë të gjitha brenda. Pjesë e klithmës dhe pjesa shpirtërore, është pjesë e brendshme dhe e formimit genetik të çdo njeriu mbi rruzull. Është edhe pjesë e formimit të ushqimit shpirtëror që njerëzit kanë dëgjuar në familjet e veta. Ka njerëz që janë formuar që këshillat e prindërve, gjaku i tyre ka qenë një rrjedhë normale e lumit, që të vegjetojnë, që duhet të jemi dakord me çdo gjë për të kaluar jetën, ka edhe njerëz të tjerë që janë ushqyer me rebelizëm.

Ylli Rakipi: Ja pse mua më tërheq vëmendjen Gjergj Luca. Edhe pse ka punët dhe bizneset e veta, del dhe përsëri kërkon, është në një rrugë sikur nis nga e para dhe nga fillimi. Nuk lodhesh nga kjo?

Gjergj Luca: Unë jam pjesë e kësaj shoqërie, puna ime sado e përkryer, është pjesë e kësaj shoqërie dhe në rast se nuk ndryshon shoqëria, puna ime nuk do të mbesë.
Puna ime, nesër nuk do të jetë asgjë. Nëse kjo punë dhe ky përkushtim, ajo gjë modeste që kemi bërë, do të mbesë, duhet që njeriu të ketë mundësi të luftojë edhe për shoqërinë, për të thënë të vërtetën, për të motivuar njerëzit për punën. E vërteta del nga mundi, djersa, puna, jo nga përrallat dhe historitë. Unë nuk do të rresht pa e thënë këtë gjë. Nuk do të ketë vlerë asgjë që kam bërë në jetë, në rast se njeriu nuk lufton për këtë të vërtetë dhe nuk lufton të ketë mundësi të influencojë sadopak shoqërinë ku ne jetojmë, ku marrim frymë, ku kemi zgjedhur të rrisim fëmijët tanë. Çfarë vlere ka nëse unë nuk do të mbaj një qëndrim? Ç’vlerë ka e gjithë puna që do të bëj?

Ylli Rakipi: Si u bë Gjergj Luca njeri i pasur?

Gjergj Luca: Të thashë Gjergj Luca është i pasur shpirtërisht. Mua që të arrij deri këtu më ka bërë halli. Kam patur një shok të ngushtë, që e ka patur emrin hall. Hall për të mbajtur familjen, nënën, babain, fëmijët, për të vrapuar ditë-natë rrugëve. Ai hall u kthye në ëndërr dhe ëndrra nuk ka kufij. Di ti që ëndrra të ketë kufij? Si për marrëzi, si për gjëra të mira, ai hall u kthye në ëndër dhe nëse jam përballë shoqërisë, jam përballë politikës, jam përballë llumit, jam me punëtorët duke gëzuar, duke festuar, atëherë mendoj që unë i bëj yzmet ëndrrës time. Dua të vrapoj që kjo ëndërr edhe kur të mos jem nesër, të ecë përpara edhe pa mua. Prandaj unë çirrem dhe gërrthas, sepse nuk thuhet e vërteta në këtë vend. Nëse nuk dimë nga vijmë dhe nuk bëjmë analizën nga vijmë e ku jemi, atëherë si? Njeriu po nuk e bëri këtë analizë… Ka kategori të ndryshme biznesi.
Një kategori biznesi është bërë duke ndejtur afër llumit të politikës, janë ata njerëz që nuk kanë kurajo, ata njerëz që kanë blerë 5 traktorë e zetorë, kanë blerë dy asfaltuese, u kanë ndenjur afër atyre, kanë ndarë lekët 30 vjet me ta, i kanë marrë lekët kollaj, bëjnë si VIP, vishen bukur, bëjnë flokët me xhel, marrin shtëpi te Rolling Hills, me parfumet më të mira, me Rolls Royce përsëmbari dhe duan të plotësojnë mangësinë që kanë, që të duken bosa. Plotësojnë atë që Zoti nuk ua ka falur në shpirt dhe mendje.