AKTUALITET, 12 Qershor 2026, 18:56

Qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë, pak metra larg sheshit ‘Italia’ ku po festojnë socialistët, aktivisti-protestuesve: Mos shkoni në mitingun e PS-së, kujdes provokimet!

Qytetarët nisin marshimin drejt Kryeministrisë, pak metra larg sheshit

Ka nisur dita e 13-të e protestës qytetare në Tiranë, ndërsa qindra protestues janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbej”, duke vijuar mobilizimin kundër klasës politike dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Me pankarta në duar dhe nën thirrjet kundër qeverisë dhe opozitës, protestuesit nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohet tubimi i radhës. Pjesëmarrësit kanë deklaruar se protesta do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre dhe se nuk do të lejojnë politizimin e lëvizjes.

“Opozita është përpjekur të kapë protestën, por nuk do ta prishë kurrë këtë magji të popullit”, deklaroi me megafon aktivisti Alben Kola, duke theksuar se protesta synon të mbetet një lëvizje e pavarur qytetare.

Nga ana tjetër, organizatorët u kanë bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë, të shmangin provokimet dhe të mos përfshihen në aktivitete politike partiake. Ata kanë kërkuar që pjesëmarrësit të mos i bashkohen mitingut të Partisë Socialiste në sheshin “Italia”, ku po zhvillohet ceremonia për 35-vjetorin e themelimit të kësaj force politike.

Protesta, e cila nisi fillimisht si reagim ndaj projektit turistik në Zvërnec, është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit, keqqeverisjes dhe problemeve sociale e ekonomike. Në ditën e 13-të të saj, protestuesit vijojnë të përsërisin sloganet “Rama jep dorëheqjen” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, duke theksuar se pakënaqësia e tyre shkon përtej ndarjeve tradicionale politike.