TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputeti Dashamir Shehi, shpreh mbështetjen në parim për protestën e thirrur pasditen e sotme nga Partia e Lirisë, tek inceneratori i Tiranës, duke u shprehur gjithmonë pro protestave si qytetar dhe parti.
Nga studio e MCN Live, Shehi deklaroi se nuk është për faktorizimin e një force politike pasi, protestat organizohen kur puqen gjithë palët, jo për të treguar se kush ka njerëz mbas.
“Kjo që ka ndodhur me inceneratorët nuk është i vetmi problem, por një nga më të mëdhenjtë se ka implikuar shumë njerëz, ka një skemë organizative mbas, janë marrë vendime, janë bërë ligje, janë implikuar shumë njerëz.
Nëse protesta përfundon se zoti Meta kërkon pjesën e vetë të lavdisë opozitare, ky nuk është momenti!
Duhen gjeste dhe veprime të tjera, unë nuk besoj te ky grupi i ri, se Partia e Lirisë, është simboli i pastërtisë, opozitarizimit, anti-korrupsionit, nuk kam qejf ta përsërisim këtë cikël.
Opozita ka nevojë për njerëz të rinj, duar të pastra. Për të ricikluar grupe pushteti nuk ka nevojë Shqipëria.
Dakord luftë kundër inceneratorëve prej shkallës së korrupsionit, edhe për protesta, por është një kujdes që duhet t’iu themi gjithë kolegëve opozitarë, se kjo nuk është rruga për të mbërritur, për të ngjitur gjithë maloren.
Zoti Meta me grupin e vetë politik, ka kaq shumë zigzage në këto 15 vjet, sa nuk na garanton dot se mund të jetë flamurtari i betejës opozitare.”
Lidhur me bashkëpunimin mes Ilir Metës dhe Sali Berishën, Shehi tha se deri tani nuk ka qenë shumë i suksesshëm, duke kujtuar se herën e fundit partia e tij u largua nga qeveria e Ramës dhe hipi në tribunën e opozitarizmit, PD në një farë mënyrë mbajti në shpinë dhe turpet e qeverisë.
Ai shtoi se për përfitimet elektorale, PD dhe LSI nuk ranë dakord dhe katër deputetë iu bënë dhuratë Edi Ramës, duke nënvizuar se nga kjo pikëpamje nuk beson se është bashkëpunim i sinqertë.
“LSI është një forcë që mund të mbledhë disa deputetë dhe vota, dhe këto janë të vlefshme në politikë. Këto janë vota të administratës publike kur je në pushtet.
Uroj që me lëvizjen e re zoti Meta, të ketë bërë edhe ndryshimet. Një parti ka nevojë edhe për një profil ideologjik, ku synojnë të shijnë, kush është humusi i tyre politik? Ku do të mbillet kjo forcë e re?
Mirë se të vinë në fushën opozitare, fushën e cakton vota popullore. Nëse nuk gjenerohet entuziazëm përqark kësaj pune, nuk ka sinergji që po i puqim bashkë. Ne bëmë një demonstratë nuk është se kam ndonjë simpati të madhe, nuk besoj se as zoti Berisha mund të bëj këtë punë. Por u krijua një lloj fryme.
A do ti japim frymë, a do krijojmë një ide që është e re, apo kush mat muskujt e krahëve dhe të qafës. Fuqitë politike, mbarten kur vijnë zgjedhjet. Përtej të gjithë këtyre dyshimeve që kam për këtë punë, në principin si qytetar mbështes çdo lloj proteste se qeveria e ka bërë baltë, sa përpara çdo të zeze duket i bardhë kushdo.
Të shkojmë me osana sikur këtu s’ka ndodhur kurrgjë, pa bërë një analizë, kjo më duket e tepërt. Të pranojmë shefat e rinj apo të vjetër të hipin në tribunë. Jemi të gjithë me këmishë të bardhë dhe pardesy të bardhë dhe po fillojmë nga revolucioni i 30 viteve shqiptare.
Edhe Berisha ka të gjithë huqet dhe kusuret e veta, po e ka një turmë njerëzish nga pas. Edhe ky zotëria njëlloj vepron në llojin e vetë. Jemi në moment të vështirë.
Do i shkojmë pas protestës? Por jo pa një frymë politike. S’mund të shkojmë qorrazi, kjo është qesharake.”
Shehi mohoi që të jetë kandidat në zgjedhjet vendore, duke shtuar se nuk është më djalë i ri.
Në vijim deklaroi se politikën në Shqipëri e kanë bërë dy vetë e gjysmë, duke nënvizuar se është koha për t’u kthyer në shtet normal, me anë të ndryshimeve kushtetuese.