AKTUALITET, 27 Shkurt 2026, 16:41

Prezantohet kreu i ri i Doganës së Tiranës, Drejtori i Përgjithshëm Beja: Parimi kryesor, zbatimi i ligjit

Prezantohet kreu i ri i Doganës së Tiranës, Drejtori i

Prezantohet kreu i ri i Doganës së Tiranës, Erjon Riçku. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ishte sot i pranishëm në marrjen e detyrës dhe prezantimin përpara stafit të administratës doganore të Tiranës, të drejtorit të ri të kësaj dege, Erjon Riçku, i cili merr detyrën në vijim të drejtimit trevjeçar të Ermal Shemës, në një prej pikave më të rëndësishme të Administratës Doganore në vend.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm falënderoi Shemën për angazhimin dhe drejtimin e deritanishëm, duke vlerësuar kontributin dhe bashkëpunimin e tij gjatë kësaj periudhe. Duke prezantuar kreun e ri, Beja theksoi se “Erjon Riçku vjen nga një eksperiencë e gjatë dhe e suksesshme në administratën shtetërore, ç’ka përbën një vlerë të shtuar për drejtimin e Degës së Doganës Tiranë”.

Ai nënvizoi se përpara strukturës që ai do të drejtojë qëndrojnë sfida të rëndësishme dhe nevoja për përmirësimin e mëtejshëm të shumë aspekteve të punës.

Drejtori i Përgjithshëm theksoi se “zbatimi i ligjit duhet të jetë parimi udhëheqës i çdo veprimtarie, ndërsa objektivat dhe plani i punës duhet të orientohen drejt rritjes së efikasitetit, transparencës dhe cilësisë së shërbimit”.

Në fokus, shtoi ai, duhet të jetë ndërtimi i një shërbimi model ndaj biznesit, ku kujdesi ndaj qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë, sjellja profesionale dhe etika në komunikim të jenë standard i përditshëm pune. “Dogana e Tiranës është fytyra e administratës doganore. Mënyra si funksionon dhe si sillet me biznesin dhe qytetarët reflekton drejtpërdrejt imazhin e institucionit tonë”, theksoi Beja, duke kërkuar angazhim maksimal nga i gjithë stafi për përmbushjen e objektivave të vendosura.