AKTUALITET, 29 Maj 2025, 18:53

"Plumbi i artë"/ Zbardhet rrëfimi i të penduarit Alibej, nga biznesi i kokainës te 100 mijë euro për kokën e Talo Çelës

"Plumbi i artë"/ Zbardhet rrëfimi i të penduarit

“Unë kisha hedhur fjalë në Elbasan, që për Talo Çelën jepja 100 mijë euro për ta vrarë dhe 200 mijë për të ma sjellë të gjallë”. I penduari tjetër i drejtësisë në dosjen “Plumbi i artë”, Erion Alibej, i tha Gjykatës së Posaçme se kjo ofertë kishte qenë shkas i njohjes së tij me të penduarin Nuredin Dumani. Oferta kriminale nga ana e saj, motivohej me faktin Talo Çela, sipas Alibejt, kishte marrë pjesë në masakrën e Bradasheshit, ku iu vra vëllai, Endrit Alibej dhe xhaxhai, Arben Dylgjeri.

Në rrëfimin e tij të parë në gjykatë, i akuzuari nga SPAK si i përfshirë në vrasjen e Dorian Shkozës e Anxhelo Avdisë, vëllezërve Besmir e Vikton Haxhia dhe atë të Emiliano Ramazanit e Rigers Runajt ndau detaje se si hyri në botën e krimit, “perandorinë kriminale” të trafikut të kokainës të të vëllait të ndjerë në Holandë, atentatet ndaj familjarëve dhe marrëdhëniet e tij e të vëllait me Suel Çelën dhe anëtarët e familjeve Çapja e Çopja në Elbasan.

Takimin me Dumanin Alibej tha se e kishte regjistruar. Në 2 orë e 48 minuta ai i kishte paraqitur të gjitha hetimet private mbi personat e përfshirë në tre ngjarje kriminale ndaj personave të afërt me të, duke i përmendur se edhe vëllai i Dumanit kishte marrë pjesë në “masakrën e Bradasheshit”. “Nuredini nuk ma pranoi, tha Alibej, por i thashë të betohen me dorë në Kuran, që unë të fal gjakun e vëllait, por dua të mi tregosh të gjitha”.

Alibej i kishte kërkuar Dumanit ta nisnin me Talo Çelën, ndërkohë që e dinte se financuesit e vrasjes së të vëllait ishin vëllezërit Çopja, miq të hershëm të tyre. I pyetur nga prokurorët për vetën, Erion Alibej tha se vëllai i tij, Endrit Alibej, kishte emigruar që në moshën 16-vjeçare në Greqi e më pas në Itali dhe Holandë dhe se në vijimësi ishte marrë me trafik droge.

“Asnjëherë nuk ka punuar në punë të ligjshme”, tregoi i penduari. Sipas tij, kulmin i vëllai e kishte mbërritur në Holandë, ku ishte bërë i rëndësishëm për shkak të kontakteve dhe kokainën e mbërritur nga Amerika Latine mund ta shpërndante në Holandë, Itali, Angli e Belgjikë. I penduari tha se ishte përfshirë për herë të parë në trafikun e drogës në Angli, në vitin 2016, për t’i ardhur në ndihmë të vëllait, që kishte disa borxhe.