AKTUALITET, 24 Shkurt 2025, 19:32

Plagosja me armë e kushëririt të kryebashkiakut të Kukësit, pranga 3 personave të lidhur me ngjarjen

Plagosja me armë e kushëririt të kryebashkiakut të

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës ka kërkuar dhe arritur arrestimin e tre personave nën akuzë për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Armëmbajtjes pa leje” dhe “Përkrahjes së autorit të dyshuar për një krim”.

Arrestimet u realizuan si pjesë e hetimeve lidhur me një ngjarje të rëndë, e cila ka ndodhur në qytetin e Kukësit më 19 shkurt 2025, ku shtetasi Elvis Halilaj, kushëriri i Kryetarit të Bashkisë Kukës Albert Halilaj, u plagos me armë zjarri gjatë një konflikti.

Hetimet e Prokurorisë, në bashkëpunim me forcat operacionale të Policisë së Shtetit, çuan në arrestimin e tre të dyshuarve:

Zenel Muçmata, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si dhe “Armëmbajtje pa leje”.

G. P., i dyshuar për “Përkrahje të autorit të dyshuar për një krim”.

E. A., gjithashtu i dyshuar për “Përkrahje të autorit të dyshuar për një krim”.

Sakaq, hetimet për këtë rast vazhdojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të dokumentuar veprat penale të kryera.