AKTUALITET, 23 Mars 2024, 13:12

Plagosja e të riut nga efektivi në vendin ku do të shkëmbehej kokaina, arrestohet polici! Detajet e AMP: I përfshirë në trafikun e drogës

Plagosja e të riut nga efektivi në vendin ku do të

Një efektiv është arrestuar pasi dyshohet se është përfshirë në trafikun e drogës pas operacionit të antidrogës mbrëmjen e së enjtes (21 mars) në kryeqytet ku mbeti i plagosur E. S.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore raporton se është ndaluar efektivi E. Sh., i cili dyshohet se ka lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar.

Dyshohet se polici 38 vjeçar ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 Kg e dyshuar kokainë, që u gjet brenda në mjet, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.

Ai u arrestua si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i AMP-së:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ndaluar punonjësin e policisë Inspektor E. SH., 38 vjeç, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

Ndalimi i këtij punonjësi policie u krye në vijim të hetimeve me metoda speciale, në funksion të ngjarjes së datës 21.03.2024, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.

Si rezultat i hetimeve intensive u bë e mundur sigurimi i provave dhe i fakteve mbi dyshimet se punonjësi i policisë, Inspektor E. SH., me lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar, ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 Kg e dyshuar kokainë, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e përkushtuar në përmbushje të misionit të saj për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.

Operacioni antidrogë

Tre të rinjtë, 20-vjeçari I. B., 26-vjeçari Sh. O., dhe E. S., dyshohet se ishin furnizues të shpërndarësve të drogës në zonën e Xhamllikut dhe do të shkëmbenin kokainën tek vendi ku u kapen nga agjentet e antidrogës.

Gjatë momentit që struktura operacionale ka tentuar të ndalojë automjetin tip “Volksëagen Tiguan” në vendin e quajtur rruga “Mihal Duri”,  drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të policisë për të ndaluar.

Shoferi ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe duke përplasur me qëllim shmangien automjetin e shërbimit të policisë.

Gjatë tentativës për t’u larguar një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë është plagosur shtetasi E. S., i cili u dërgua menjëherë në spitalin e traumës nga punonjësit e policisë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në automjet tip është konstatuar një pako me 1 kg kokainë. Pas operacionit policor, tre të rinjtë u arrestuan nga policia.