AKTUALITET, 23 Mars 2024, 11:52

I dërgoi babait 800 euro në Siri, SPAK çon në gjykim të birin nën akuzë për financim terrorizmi

I dërgoi babait 800 euro në Siri, SPAK çon në gjykim

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për M. M., të akuzuar për financim të terrorizmit dhe ka paraqitur në GJKKO kërkesën për gjykim të procedimit.

M. M., akuzohet se i ka dërguar babait të tij, M. M., në Siri një shumë prej 864 euro nëpërmjet një institucioni që ofron shërbime financiare “transferta monetare” në 19 nëntor 2018.

Sipas SPAK, ai nuk ia ka dërguar paratë në mënyrë të drejtëpërdrejtë të atit pasi ai ka qenë i listuar si person ndaj të cilit nuk mund të kryheshin transferta, por ia ka nisur një personi tjetër të referuar prej tij, shtetasit sirian me iniciale A.A.S.

M. M., ka përdorur një kartë identiteti në emër të shtetases me iniciale A. N., e cila e kishte raportuar atë të humbur, disa kohë para ngjarjes.

M. M., është larguar nga Shqipëria për në Siri në 5 maj 2013 duke u bërë pjesë e organizatës “ISIS”, e listuar si organizatë terroriste nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara.

Më 02 nëntor 2016, ai u vendos në listën kombëtare të personave të shpallur për financim të terrorizmit. Ndërsa besohet se ka ndërruar jetë në vitin 2019.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.255, të vitit 2021, në ngarkim të të pandehurit Muhamet Manollari, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Financimi i terrorizmit”, parashikuar nga neni 230/a i Kodit Penal.

Nga aktet hetimore ka rezultuar se i pandehuri Muhamet Manollari është djali i shtetasit M. M. Ky i fundit, në datën 05.05.2013 është larguar nga Shqipëria për në Siri, duke u bërë pjesë e organizatës “ISIS”, e listuar si organizatë terroriste nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës të Kombeve të Bashkuara. Shtetasi M. M., është listuar sipas VKM-së nr.769, datë 02.11.2016, në listën kombëtare të personave të shpallur për financim të terrorizmit.

Në datën 19.11.2018, i pandehuri M. M., ka transferuar nëpërmjet një institucioni që ofron shërbime financiare “transferta monetare” shumën prej 864 (tetëqind e gjashtëdhjetë e katër) Euro, në favor të shtetasit sirian me iniciale A.A.S, me qëllim për t’ia dërguar babait të tij Mehdi Manollari, i cili në atë kohë ndodhej në Siri, dhe ka qenë pjesëmarrës i organizatës terroriste “ISIS” (besohet të ketë vdekur në vitin 2019).

Për të dërguar këtë shumë parash, i pandehuri M. M.,, nuk ka përdorur emrin e tij, por ka përdorur një kartë identiteti në emër të shtetases me iniciale A. N., e cila e kishte raportuar atë të humbur, disa kohë para ngjarjes, dhe shuma e parave është dërguar jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë shtetasit Mehdi Manollari (pasi ai ka qenë i listuar si person ndaj të cilit nuk mund të kryheshin transferta), por një personi tjetër të referuar prej tij, shtetasit sirian A.A.S.