AKTUALITET, 10 Shkurt 2024, 10:59

Pezullohet lundrimi për linjën Vlorë-Brindisi-Vlorë, mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit

Pezullohet lundrimi për linjën Vlorë-Brindisi-Vlorë, mjetet

Tragetet e linjës Vlorë-Brindisi- Vlorë nuk do të udhëtojnë sot në drejtim të destinacioneve respektive pasi lundrimi për ta është pezulluar nga ana e kapitenerisë së Vlorës.

Tragetet kanë dalë në det të hapur për të shmangur përplasjen me kalatat e portit detar çka mund të sillte tek ta dëme materiale.

Gjithashtu është pezulluar dhe lundrimi detar për mjetet e vogla lundruese si dhe mjetet e peshkimit.

Shkak për pezullimin e lundrimit si për mjetet lundruese por edhe mjetet e peshkimit dhe ato të transportit ndërkombëtar është era e fortë bregdetare me drejtim Jug-Juglindje dhe Jug-Jugperëndim.

Era me shpejtësi 25 metër për sekondë shkakton në det të hapur forcën 8 ballë ndërsa në gji 6 ballë duke e bërë të pamundur lundrimin.

Intensiteti i erës pritet të rritet në orët në vijim çka ka bërë që të pezullohet dhe lundrimi i trageteve të linjës. Në gji dallgët shkojnë në lartësinë 2 metra ndërsa në det të hapur 3.5 metra.

Administratorët e mjeteve të peshkimit kanë nisur sigurimin e mjeteve në vende të posaçme për të shmangur përplasjen e tyre me bregun çka sjellë dëme materiale të shumta. Situata meteorologjike e tillë pritet të zgjasë edhe për të dielën ku do të kemi të pezulluar lundrimin e mjeteve të peshkimit dhe atyre lundruese dhe trageteve të linjës.

Të hënën në bazë të parashikimit të kushteve hidrometeorologjike do të shihet nëse tragetet e linjës do të udhëtojnë në drejtim të destinacioneve ose jo. Kushtet hidrometeorologjike pritet të përmirësohen mëngjesin e ditës së hënë.