TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Sali Berisha iu kundërpërgjigj Erion Veliajt, pasi kryetari i Bashkisë Tiranë reagoi në rrjetet sociale për akuzën e kreut të PD, se ishte arratisur në Shtetet e Bashkuara.
“Për të kuptuar se ç’përfaqësojnë këta moralisht, u ftoj të lexoni reagimin që ka bërë Lal Vjedhësi sot ndaj kërkesës sime që në rast se ai nuk kthehet, Edi Rama të japë dorëheqjen. Kaq ishte kërkesa. Por ky është i shkonfiguruar, ky është i pakallur dhe kanë meritë të jashtëzakonshme qytetarët e Tiranës, që pikërisht në të 40-tat e tij, e kallën. E varën në shtyllën e turpit të mbarë Europës. Nuk ka sot një kryebashkiak që të jetë i bërë zift i zi si ai me vjedhjet që ka kryer”, tha Berisha.
“Atëherë, të deleguarit e tyre kudo që t’i shihni, do t’i gjuani me zezë, do t’i gjuani me domate. Hajdutë, nuk keni vend, shkoni në punën tuaj. Se po të shkoni tani në bashkinë e Tiranës, ua them unë ju, gjer para një muaj ata bënin rroftë Erion Veliaj, poshtë Edi Rama se donin ta shihnin Erin kryeministër se e dinin se do vidhnin edhe më shumë. Tani, poshtë Veliaj, rroftë Blendi Gonxhe. Gonxhe është një hajdut i paimagjinueshëm. Po, janë të sotme këto që u them”.
Çfarë ndodhi gjatë paradites?
Të shtunën në mëngjes Berisha denoncoi atë që e quajti “arratisje” të Erion Veliajt, në SHBA. Në një deklaratë për mediat, kryetari I PD-së u shpreh se ky veprim i kryebashkiakut është arratisje nga drejtësia.
“Lajme të shumta bëjnë të ditur se Erion Veliaj, bashkëpronari i vërtetë i djegësit të Tiranës, që mungon, i pyllit 1 milion pemë që nuk ekziston, i modelit të vjedhjes 100 për qind me 5D, pasi mori zyrtarisht një seri akuzash, të cilat shkonin për përmasat e krimit nga 20 në 35 vite burg, sot në ora 5:15 të mëngjesit është nisur jashtë vendit, sipas thashethemit për në SHBA, por në të vërtetë drejtimi është i panjohur. Zonja dhe zotërinj, ky është një akt nga më të rëndët në historinë e një shteti, i organizuar, i orkestruar direkt nga Edi Rama.”
Sipas Berishës, ky akt i Veliajt është mbështetur nga Edi Rama, duke akuzuar se kryeministri ka influencuar që Veliaj të mos vendosej në masën e sigurisë të ndalimit për të dalë jashtë vendit.
“Edi Rama bllokoi lëshimin e urdhër-arrestit ndaj Erion Veliajt, bllokoi lëshimin e sekuestrimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë shteti dhe de facto ai e përcolli atë në drejtim të paditur në mënyrë që shqiptarët të mos mësojnë fatin e qindra e qindra milionë euro të vjedhura nga Edi Rama dhe Erion Veliaj në djegësin e Tiranës, në aferën 5D, por dhe në të gjitha lejet e ndërtimit në territorin e Tiranës, kullat gjigante në të cilat flitet rëndom se Edi Rama ka 30 për qind të pronësisë. Me këtë rast, unë kërkoj në mënyrën më urgjente rikthimin e Erion Veliajt në Tiranë”, tha Berisha.
Veliaj u përgjigj përmes një postimi të gjatë në Facebook. “O Sali, o kërmë, që paske dhënë lajmin se jam arratisur nga Shqipëria, meqë ndonjë nga çimkat e tua më paska parë në avion. Po shkoj në Amerikë, për takime që i kam lënë prej kohësh, se jam kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe nuk jam Non Grata, o fundërrinë e historisë, që u bërë stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde”, shkruan Veliaj në Facebook.
Më tej Veliaj sqaron se ai do të rikthehet në Shqipëri pas 48 orësh dhe shprehet se nuk i trembet drejtësisë dhe SPAK-ut, ndryshe nga çfarë ndodh në kampin blu.