AKTUALITET, 12 Janar 2024, 20:02

Pas pezullimit nga Senati, Biden ripropozon David Kostelancik për ambasador të SHBA-ve në Shqipëri

Pas pezullimit nga Senati, Biden ripropozon David Kostelancik për ambasador

Presidenti amerikan, Joe Biden ka propozuar sërish David Kostelancik si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Ky ripropozim vjen pasi më 4 Janar, Senati nuk e miratoi emërimin e Kostelancik si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri, për shkak të tejkalimit të afateve.

“David J. Kostelancik, nga Illinois, Anëtar Karriere i Shërbimit të Jashtëm të Lartë, Klasa Ministër-Këshilltar, nominohet për të qenë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë.

Kostelancik u emërua për postin e Ambasadorit të SHBA-ve në Shqipëri në janar të vitit të kaluar. Kostelancik dëshmoi për përparësitë e tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë në mars të vitit të kaluar. Në prill, Komisioni votoi pro konfirmimit të tij, por votimi i plotë i Senatit nuk u bë.

Kostelancik ka një karrierë 30-vjeçare. Në Shqipëri ka shërbyer edhe më përpara në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën amerikane të sapohapur në Tiranë. Para emërimit si ambasador, ai shërbente si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneralit Mark Milley