AKTUALITET, 9 Nëntor 2022, 18:02

Organizatat kundër dhunës ndaj grave bëjnë thirrje për zbardhje të plagosjes së një vajze nga Kenia në Tiranë

Organizatat kundër dhunës ndaj grave bëjnë thirrje për

Pavarësisht se kanë kaluar disa muaj nga plagosja e një vajze të re nga Kenia, që punonte në Tiranë, familjarët dhe avokatët e saj akoma mbeten në kërkim të përgjigjeve prej procesit hetimor që ende nuk ka zbardhur detaje.

Për këtë arsye Rrjeti i Organizatave për Monitorimin e Dhunës me Bazë Gjinore përmes një deklarate publike të mërkurën u bëri thirrje autoriteteve të zbardhin sa më shpejt ngjarjen në të cilën mbeti e plagosur rëndë Joyce, 22 vjeç.

“Në mbrojtje të të drejtave të Joyce, filloi të luftojë Ruth, nëna e vajzës, e cila mbërriti në Tiranë në datën 12 Shtator 2022 duke u përpjekur të marrë informacionin e nevojshëm se çfarë i ka ndodhur vajzës, por për fat të keq deri më tani ky informacion është krejtësisht i munguar”, shkruajnë në deklaratën e tyre përfaqësuesit e Ndihmës Ligjore falas në Tiranë.

Më datë 14 Gusht 2022, Joyce, e reja 22 vjeç nga Kenia,  është gjendur pa ndjenja pranë shtëpisë ku banonte, e cila ishte siguruar nga punëdhënësi. Prej atij momenti, ajo i është nënshtruar kujdesit shëndetësor intensiv, por gjendja e saj mbetet e rënduar.

Shërbimi ligjor falas në Tiranë është pjesë e rrjetit të Organizatave të Monitorimit të Dhunës me Bazë Gjinore, dhe ata përfaqësojnë viktimën e veprës penale, në këtë rast vajzën e re nga Kenia në Shqipëri. Në kushte të sekretit të hetimit, organet shtetërore përgjegjëse nuk i kanë dhënë informata të ëmës së Joyce, por sipas avokatëve, ngjarja kërkon reagim, dhe jo heshtje siç ka ndodhur deri më tani.

“Mungesa e masave konkrete të menjëhershme nga organet ligj zbatuese për këto lloj çështjesh, rëndon situatën e personave të dhunuar, veçanërisht në rastet si ky i Joyce, kur dhuna shkakton paaftësi mendore dhe e pengon atë për të luftuar për të drejtat e saj”, shkruhet në deklaratën e ekspertëve të Shërbimit Ligjor Falas. Sipas rrjetit të organizatave për monitorimin e dhunës, dhuna dhe njëkohësisht dhe kohëzgjatja e hetimit favorizojnë hapur dhunuesin.

“Kjo i jep kohën e mjaftueshme dhunuesit për t’u çliruar nga barra e provës, për të manipuluar apo kompromentuar provat që nevojiten gjatë procesit të kërkimit të drejtësisë”, citon deklarata e ekspertëve, duke bërë thirrje për reagim të menjëhershëm konkret prej instancave përgjegjëse.

Pak orë pas deklaratës Policia e Shtetit reagoi duke pretenduar se kishte kryer të gjitha veprimet hetimore për rastin, por nuk bëri me dije nëse kishte zbardhur atë apo nëse ishin mësuar motivet e sulmit që është klasifikuar si “plagosje e rëndë me dashje”. /BIRN