AKTUALITET, 5 Shtator 2025, 09:51

Operacioni/ Pjesë e organizatës së Çopjave, arrestohet në Republikën Dominikane Soni Pepa! Akuzohet për trafikimin e 11 tonëve kokainë në Evropë

Operacioni/ Pjesë e organizatës së Çopjave, arrestohet

40-vjeçari Vilson Pepa, pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës të drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Çopja, është arrestuar në Republikën Dominikane pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK. Sipas mediave vendase, Pepa u ndalua më 3 shtator në Santo Domingo.

Sipas njoftimit të policisë dominikane, Pepa rezulton i përfshirë me një ngarkesë prej 11 tonësh kokainë, 600 kg prej të cilave u sekuestruan në Roterdam të Holandës midis 7 dhe 8 nëntorit 2020. Ai akuzohet gjithashtu për financimin e blerjes së 10 kilogramëve të tjerë në të njëjtin qytet.

Ngarkesa e përmendur u nis nga porti i Villetas, në Paraguai, me destinacion portin e Antverpit, në Belgjikë. Në momentin e ndalimit, 40-vjeçarit iu gjetën një pasaportë shqiptare, disa dokumente italiane si dhe pesë telefona celularë të koduar dhe para në dorë.

Emri i Vilson Pepës ishte shpallur në kërkim pas operacionit të SPAK më 8 gusht, ku u godit sërish organizatën kriminale të Franc Çopjas në Elbasan. Prokuroria lëshoi 16 urdhër arreste në kuadër të këtij hetimi, 14 masa arresti në burg ndërsa dy të tjerë në detyrim paraqitje. 

Sipas SPAK, grupi akuzohet për trafikun e 28 ton kokainëve në Evropë në 2 episode të ndryshme, nga të cilat 17 ton u sekuestruan. Prokuroria e ka cilësuar organizatën e Çopjave si ndër më të fuqishmet dhe që ndikon çmimin e kokainës në tregjet evropiane.

SPAK akuzon organizatën për dy episode të trafikut të drgoës. Në shtator të vitit 2020, u organizua trafiku i 11.6 tonëve kokainë, e fshehur në kuti sapuni dhe kuti boje metalike me logon “Fox”, ngarkesë e cila u nis nga porti i Villeta në Paraguaj  dhe mbërriti në Anvers më 04.11.2020. 600 kg u sekuestruan dhe 2 milionë euro, ndërsa u arrestuan dy shqiptarë. 

Në periudhën dhjetor 2020-shkurt 2021 u trafikuan 16.4 ton kokainë, fshehur në bombola metalike me bojë/kollë ndërtimi dhe të stampuara me logo me vlerë tregu prej 1.5 miliard deri 3.5 miliard euro. Ngarkesa, e shpërndarë në disa kontejnerë, mbërriti në Hamburg më 12.02.2021 dhe u sekuestrua nga autoritetet doganore gjermane.