AKTUALITET, 3 Dhjetor 2022, 10:49

Operacioni 'Aksi', policia: Një muaj hetime, u godit grupi që do të trafikonte kanabis

Operacioni 'Aksi', policia: Një muaj hetime, u godit grupi

Një çift të rinjsh u vunë në prangat e policisë së Elbasanit gjatë një operacioni të realizuar pas një hetimi njëmujor të zhvilluar me metoda proaktive.

Në operacionin e koduar “Aksi” policia sekuestroi 10 kg kanabis dhe 1 armë zjarri pistoletë si dhe vuri në pranga dhe bashkëpunëtorin e të rinjve.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.

Njoftimi i policisë

Strukturat e DVP Elbasan, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, mbështetur dhe në inteligjencën informative, pas një hetimi njëmujor të zhvilluar me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Aksi”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në fragrancë shtetasit: L. Gj., 23 vjeç, banues në Pogradec, B. F., 28 vjeçe, banuese në Tiranë dhe G. P., 33 vjeç, banues në Korçë.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin L. Gj. dhe pasagjere shtetasen B. F. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit u gjetën 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, që këta shtetas po e transportonin nga Korça në drejtim të Elbasanit.

Në afërsi të këtij automjeti u kap dhe u ndalua edhe shtetasi G. P., i cili nga veprimet hetimore ka rezultuar bashkëpunëtor me 2 shtetasit e lartpërmendur.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit G. P., shërbimet e Policisë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, në formë çokollate.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit pistoletë, 10 kg kanabis dhe automjeti tip “Audi”.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, ka rezultuar se në këtë veprimtari kriminale dyshohet se janë të përfshirë edhe 5 shtetas të tjerë, të cilët u shpallën në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre.

Punohet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.