AKTUALITET, 14 Janar 2024, 10:55

Një 20-vjeçar humbi jetën në Lushnje, u rrëzua nga shkallët teksa tentonte të dilte jashtë gjatë tërmetit

Një 20-vjeçar humbi jetën në Lushnje, u rrëzua nga

Është shënuar viktima e parë nga tërmeti i një nate më parë në zonën e Lushnjës. Sipas News24, një 20-vjeçar ka humbur jetën pasi është rrëzuar nga shkallët e banesës, në tentativë për të dalë jashtë shtëpisë.

Mësohet se 20-vjeçari Daniel Rika ka rënë nga shkallët e katit të dytë të banesës.

Trupi i pajetë i të riut është dërguar në morgun e spitalit të Lushnjes ku pritet t’i ushtrohet një ekspertize mjeko-ligjore.

Të afërm të viktimës Daniel Rika, i cili humbi jetën pasi u rrëzua nga shkallët për shkak të panikut nga tërmeti i mesnatës, kanë deklaruar për Top Channel se i riu humbi jetën pasi ka rënë në shtëpi.

“Nipi ka qenë i sëmurë. Mesa mora vesh unë është trembur është çuar dhe ka rënë dhe ka vdekur. Nuk e di se si ka rënë. Unë tani erdha në spital sepse isha te shtëpia dhe më thanë që e ka marrë ambulanca dhe e ka prurë. Ka qenë i vdekur kur e kanë sjellë në spital. Ai ishte i sëmurë, ka qenë shtruar”– tha një i afërmi i viktimës.

Nga ana tjetër, një tjetër i afërm theksoi se i riu vuante nga probleme të shëndetit mendor.

I afërmi: Iku me nusen, vajti te shtëpia dhe më tha që kishte vdekur çuni nga tërmeti.

Si nga tërmeti? Ishte në gjumë?

I afërmi: Më duket se po.

Nga çfarë probleme shëndetësore vuante?

I afërmi: Më duket se vuante nga ana mendore. Ka pasur probleme të shëndetit mendor dhe merrte edhe kurime.

Po shtëpia ka pësuar dëme nga tërmeti?

I afërmi: Nuk di gjë.

Juve çfarë e keni familjen e viktimës?

I afërmi: Krushk.

Tërmeti me magnitudë 4.5 të shkallës Rihter u ndje në orën 00.17 të së dielës. Epiqendra e lëkundjeve ishte disa kilometra larg Lushnjes. Për pasojë tërmeti u ndje edhe në shumë qytete të tjera si Tiranë, Durrës, Kavajë, Fier, Korçë, Pogradec, Vlorë etj.