AKTUALITET, 29 Tetor 2024, 16:33

Më shumë para në 2025, ekspertët: Bashkitë ende të nënfinancuara, s’plotësojnë nevojat e komunitetit

Më shumë para në 2025, ekspertët: Bashkitë ende të

Për të rritur pagat, mbrojtjen nga zjarri, ndërtuar rrugë e ndihmuar sistemin arsimor dhe mbrojtjen sociale, 61 bashkitë në vend përllogaritet të shpenzojnë vitin e ardhshëm 89.8 miliardë lekë. Në raport me këtë vit, buxheti në dispozicion i njësive të pushtetit vendor rritet me 13.2 për qind. Por më e rëndësishmja 1.8 miliardë lekë më shumë se viti aktual do të shkojnë nga qeveria në drejtim të njësive të vetëqeverisjes vendore duke arritur në 26.2 miliardë lekë.

Për ekspertët e politikave vendore ky është një lajm i mirë por nevojat e bashkive qëndrojnë ende më të larta sipas tyre.

“Asnjëherë pushteti vendor nuk është i mjaftueshëm me këtë volum të jetëve financiare që marrin të61 bashkitë në republikën e Shqipërisë. Pse? E para nuk i përgjigjet një numri shumë të madhe të funksioneve që kanë bashkitë rreth 42 përgjegjësi”, deklaroi për A2 CNN, eksperti i Financave Vendore, Agron Haxhimale.

Pjesën më të madhe të fondit që bashkitë do të shpenzojnë vitin e ardhshëm e zënë pagat me 3.5 miliardë lekë pasuar nga mbrojtja për zjarrin me 2.1 miliardë, ujitjen dhe kullimin rreth 1 miliardë lekë, menaxhimi i mbetjeve 819 milionë, rrugët 667 milionë, konviktet e arsimit parauniversitar 574 milionë dhe mbrojtja sociale 150 milionë lekë.

“Nevojat reale për investime në fushën e infrastrukturës, shëndetësi, arsim dhe sektori i mbrojtjes civile, por dhe nevojat për shërbimet në sektorin e bujqësisë nuk mbulohen. Sërish bashkitë do të  jenë në vështirësi për zhvillimin ekonomik lokal dhe mbajtjen e një minimum standardi jetese për popullsitë e tyre”, tha Agron Haxhimale.

Me qëllim nxitjen e bashkive për të përmirësuar veten, ato do të përfitojnë edhe nga granti i performancës në shumën 200 milionë lekë. Ndërsa më shumë para do të vijnë drejt buxheteve të tyre edhe nga mbledhja e taksës së pasurisë rreth 8.6 miliardë lekë por edhe nga financimet  e huaja.

Ndërsa ndër objektivat që këto njësi për 2025 pritet të arrijnë janë  rritja e të ardhurave, digjitalizimi, trajnime por dhe përfshirja e qytetarëve në përgatitjen e buxhetit.