AKTUALITET, 20 Dhjetor 2023, 15:30

Me leva dhe kaçavida me vete, pranga dy vëllezërve në Fier, tentuan të vjedhin në një biznes

Me leva dhe kaçavida me vete, pranga dy vëllezërve në

U kapën në flagrancë, në tentativë për të vjedhur në një biznes, arrestohen 2 vëllezër, me precedentë të theksuar në këtë fushë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ranë shtetasit Arteus Muhaj, 28 vjeç dhe Besnik Muhaj, 25 vjeç. 

“Sekuestrohen leva dhe kaçavida që do t’i shërbenin vjedhjes me thyerje.

Gjatë patrullimeve 24/7, në të gjithë territorin e qarkut, me qëllimin madhor garantimin e rendit dhe sigurisë publike, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Fier, mbrëmjen e djeshme, kanë konstatuar 2 shtetas që po tentonin të vidhnin me thyerje, në një biznes në lagjen “Apollonia”.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, janë kapur dhe vënë në pranga këta 2 shtetas, konkretisht: 28 vjeç dhe 25 vjeç, vëllezër, të dy banues në Fier, si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, mjetet (levë dhe kaçavidë) që po përdornin ata, për të thyer derën e biznesit.

Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftim.