AKTUALITET, 4 Shkurt 2023, 20:27

Me 6 kg kokainë, heroinë dhe 83 mijë euro/ U arrestua sot bashkë me 3 të tjerë, Brikena Frakulli u vu në pranga edhe 8 vite më parë

Me 6 kg kokainë, heroinë dhe 83 mijë euro/ U arrestua sot
Droga dhe paratë e sekuestruara nga policia

Katër anëtarë të grupit kriminal që merrej me shpërndarjen e heroinës dhe kokainës në zona të ndryshme të kryeqytetit kanë rënë në prangat e policisë. Ata janë identifikuar si Brikena Frakulli, 40 vjeçe, Hortenca Biçaku, 41 vjeçe, Klevi Banushi, 20 vjeç dhe Artur Kristo, 45 vjeç.

Gjatë operacionit të koduar ‘Kutia e Pandorës’ janë sekuestruar 6 kilogramë heroinë e kokainë dhe 1100 doza heroinë e kokainë. Po ashtu janë sekuestruar 83.555 euro, 420.000 lekë të rinj, 2 automjete, 2 motoçikleta, 3 peshore elektronike dhe 4 aparate celulare.

Nga hetimit e kryera rezulton se këta shtetas vepronin në  formën e grupit kriminal që drejtohej nga Brikena Frakulli, e cila siguronte lëndën narkotike në sasi të mëdha dhe më pas furnizonte shpërndarësit në doza.

40-vjeçarja Brikena Frakulli, e arrestuar gjatë operacionit të koduar “Kutia e Pandorës”, si drejtuesja e një grupi që merrej me shpërndarje droge në Tiranë, rezulton me precedentë të mëparshëm në fushën e narkotikëve.

Ajo është arrestuar për drogë edhe në nëntor të vitit 2015, së bashku me një tjetër person, asokohe 37 vjeç, që ishte partneri i saj. Gjatë operacionit të arrestimit të tyre, të koduar “Epilog 2” nga Antidroga në Policinë e Tiranës, u sekuestruan 47 dozave heroinë (rreth 40 gramë), gati për shitje.

Sipas raportimeve, çifti arrinte të “gjuante” në rrjetet sociale klientët “VIP” dhe biznesmenë. Bashkëjetuesit dilnin në terren, në zonat e ndryshme të kryeqytetit për të shpërndarë drogën tek klientët e gjetur në online. Zonat më të preferuara të tyre ishin “Ali Demi”, “ish-Blloku”, si dhe lokalet e natës në Tiranë.

Ndërsa, sot Brikena Frakulli u arrestua së bashku me Hortenca Biçaku, 41 vjeçe, Artur Kristo, 45 vjeç dhe Klevi Banushi,  20 vjeç, pjesë e të njëjtit grup kriminal që drejtohej nga 40-vjeçarja.

Brikena Frakulli akuzohet se siguronte drogën në sasi të mëdha dhe më pas furnizonte shpërndarësit në doza të vogla. Prokuroria dhe policia kanë identifikuar edhe personin që furnizonte me kokainë drejtuesen e grupit kriminal