AKTUALITET, 7 Mars 2024, 10:23

Konflikti në familjen mbretërore/ Prokuroria nis hetimet, do të verifikohet edhe publikimi i videos

Konflikti në familjen mbretërore/ Prokuroria nis hetimet, do të

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetim pas denoncimit të Princ Lekës për dhunë, nga ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia dhe babai i saj, Gjergj Zaharia.

Gjithashtu ka nisur verifikime edhe për publikimin e videos.

Sipas Prokurorisë, nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në organin e akuzës, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur.

Nuk dihet si ka nisur konflikti, por nga pamjet shikohet se Elia i kërkon llogari Princ Lekes për një konflikt që ka ndodhur në një prej ambienteve të shtëpisë.

Në dëshminë e tij në Polici Princ Leka ka deklaruar se babai i Elias, Gjergj Zaharia e ka goditur me shkelma, madje i ka grisur dhe xhupin.  Ndërsa ka shtuar se gjatë konfliktit, Gjergj Zaharia ka marrë një statujë prej druri dhe e ka qëlluar.

Nga video shikohet që Elia Zaharia e ndjek Princ Lekën nëpër ambientet e shtëpisë, duke i kërkuar llogari pse ky i fundit goditi babain e saj 70 vjeç.

Njoftimi i Prokurorisë:

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË

Prokuroria Tiranë nis hetimet për Veprën Penale ‘Dhunë në Familje’ pas denoncimit të shtetasit L.Z., verifikime edhe për publikimin e videos, provë materiale

Në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më datë 06.03.2024, ora 15.00 është referuar nga Komisariati i Policisë Nr.1 materiali kallëzues i shtetasit L.Z për veprën penale “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, regjistroi kallëzimin penal nr.2893 për Veprën Penale të parashikuar nga neni 130/4 i Kodit Penal.

Materiali është shortuar dhe i është ngarkuar prokurorit përkatës.

Ndërkohë, në lidhje me të dhënat e publikuara në media, ju bëjmë me dije se, nga ana e Prokurorisë kanë nisur verifikimet edhe në lidhje me publikimin e një videoje, provë materiale.

Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur.

Në lidhje me rastin në fjalë, është ngarkuar Agjensia e Mbikëqyrjes Policore për të kryer veprimet hetimore përkatëse.

Çfarë ka ndodhur mes ish-çiftit?

Kujtojmë se policia raportoi se ditën e djeshme (5 mars) Princ Leka është paraqitur në komisariatin nr.1 dhe ka denoncuar ish-bashkëshorten dhe ish-vjehrrin e tij, Gjergj Zaharia se kanë ushtruar dhunë ndaj tij.

Ndërkohë të njëjtin pretendim ka pasur edhe Eliza Zaharia se ka deklaruar se është dhunuar nga Princ Leka, me të cilin ka edhe një vajzë, Princeshë Geraldinën.

“Në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasi L. Z., 42 vjeç, dhe ka kallëzuar se shtetasja E. Z., 42 vjeçe, dhe shtetasi Gj. Z., 71 vjeç, kanë ushtruar dhunë ndaj tij. I është marrë deklarim shtetases E. Z., e cila gjithashtu pretendon se është dhunuar nga shtetasi L. Z. Për të dy këta shtetas janë plotësuar kërkesë paditë për urdhër mbrojtjeje të menjëhershme”, njofton policia.

“Më grisi xhupin, më goditi me statujën e drurit”

Princ Leka ka treguar detaje nga konfrontimi fizik mes tyre në rezidencën e Familjes Mbretërore në rrugën “Murat Toptani”. Në padinë në komisariatin numër 1 të Tiranës, i ka deklaruar se ka shkuar në banesën e tij për të takuar vajzën, Princeshë Geraldinën, të cilën e ka me ish-bashkëshorten Elia Zaharia.

Por shtoi ai, në momentin që ka takuar të bijën 3-vjeçare është përballur me fyerjet dhe kërcënimet e ish-vjehrrit të tij, Gjergj Zaharia.

Sipas Princ Lekës, babai i ish-bashkëshortes iu është drejtuar duke i thënë që: “Ti duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua”.

“Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke ju drejtuar Gjergjit që të mos më ofendojë e kërcënojë, sidomos në prani të vajzës edhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën”, ka deklaruar ai, teksa shtoi se situata ka agravuar dhe ish vjehrri e ka dhunuar, duke e goditur me statujë dhe duke i grisur xhupin.

“Gjergj Zaharia më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qenë vetëm mbrojtës por Gjergji ka vazhduar duke më goditur edhe më ka grisur xhupin si edhe ka marrë edhe një send të fortë (statujë druri) me të cilin më ka goditur”, pretendoi Princ Leka.

Ka qenë në ora 15:20 minuta në banesën time në rrugën “Murat Toptani” rezidenca familjes mbretërore Nr.6, Tirane për të takuar vajzën time të moshës 3 vjeçare, pasi me ish bashkëshorten shtetasen Elia Zogu jemi në proces divorci. Unë fillimisht jam takuar me Shefin e administratës së Oborrit shtetasin Syl Mulosmanaj të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen.

Më pas unë i kam kërkuar Syles që të më shoqëronte deri tek vajza ime për ta takuar për të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese kemi rënë dakord me ish-bashkëshorten.

Unë jam ngjitur sipër së bashku me Sylen edhe kam gjetur vajzën time të vogël Geraldina Zogu e moshës 3 vjeçare e cila ka qenë në shoqërinë e gjyshit të saj babit të ish-bashkëshortes shtetasit Gjergj Zaharia.

Në këtë momente unë kam përqafuar vajzën time edhe shtetasi Gjergj Zaharia ka filluar me fjalë fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë ti duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua

Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke ju drejtuar Gjergjit që të mos më ofendoj e kërcënoj sidomos në prani të vajzës edhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën.

Në këto momente situata ka agravuar shtetasi Gjergj Zaharia më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qenë vetëm mbrojtës por Gjergji ka vazhduar duke më goditur edhe më ka grisur xhupin si edhe ka marrë edhe një sende të fortë (statuj druri) me të cilin më ka goditur’.