AKTUALITET, 6 Mars 2024, 22:01

Bashkimi i deputetëve të opozitës, Gjekmarkaj flet për mundësinë e bashkëpunimit me Bashën: Nuk përjashtojmë njeri nëse edhe ata duan të kthehen

Bashkimi i deputetëve të opozitës, Gjekmarkaj flet për

Nënkryetari i Rithemelimit të PD, Agron Gjekmarkaj, ka komentuar situatën brenda kampit opozitar pas bashkimit të grupit të Bardht dhe atij të Berishës, si edhe mundësinë për bashkim edhe me Bashën.

Gjekmarkaj u shpreh në “Open” në News24, se ai ka ikur nga posti i nënkryetarit të PD në shenjë përgjegjësie dhe është kthyer po në të njëjtin kontekst.

Sipas deputetit demokrat, në betejën 2-vjeçare mes demokratëve këta të fundit vendosën se duhet të udhëhiqen nga Sali Berisha në përpjekjen për të rrëzuar Edi Ramën.

“Unë kam ikur nga posti i nënkryetarit në shenjë përgjegjësie dhe jam kthyer po në shenjë përgjegjësie. Është një dëshirë e qytetarëve që të kenë një opozitë të bashkuar dhe funksionale. Qëndrimet e mia janë aty dhe nuk kam ndërmend t’i pohoj apo mohoj, ndonjëherë objektive apo subjektive, por këto janë detaje të vogla para bashkimit të PD duke prishur skenarët e mazhorancës dhe kryeministrit. Unë i kam qejf të vërtetat shqeto. Në këtë betejë të gjatë dy vjeçare shumica e demokratëve vlerësuan se ata duhet të udhëhiqen nga Sali Berisha në përpjekjen për të rrëzuar Edi Ramën”, u shpreh Gjekmarkaj.

Sa i përket bashkimit me deputetët e pozicionuar krah Lulzim Bashës dhe vetë atij me grupin e Rithemelimit, Gjekmarkaj tha se nuk përjashton njeri nga bashkëpunimi.

I keni drejtuar ftesë për bashkim edhe Bashës, kur gjithë të tjerët te Rithemelimi e kanë përjashtuar?

“Unë nuk përjashtoj njeri nga bashkëpunimi, por shoh se edhe të tjerët duan të bashkëpunojnë me ne. Bashkëpunimi është rrugë me dy korsi. Është pozitive të bashkohemi dhe në këtë kontekst nuk kemi pse përjashtojmë njeri nëse edhe ata duan të kthehen”, theksoi Gjekmarkaj.