TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë Konferencës së Kryetarëve, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si opozita po përdor ndërhyrjen për procedure për të penguar zhvillimin normal të debatit në seancat plenare.
“Ka deputetë që duan të flasin e të kontribuojnë, por kur seanca shkon keq dhe përfundon në votim, penalizohen edhe ata që nuk kanë asnjë rol në prishjen e debatit,” deklaroi Peleshi, duke shtuar: “Nuk mund ta vrasim debatin natën dhe ta prishim ditën.”
Ai theksoi se është kthyer në praktikë abuzimi me kërkesat “për procedurë”, të cilat përdoren për të bllokuar hyrjen në debat, edhe pse deputetët kanë në dispozicion kohën e plotë prej 10 minutash për diskutim. Sipas tij, ky veprim lidhet edhe me faktin që faza e parë e seancës ka audiencë më të lartë, gjë që po keqpërdoret me vetëdije.
Peleshi nënvizoi se zbatimi strikt i rregullores nuk mjafton, nëse mungon edhe “buon sensi” mes palëve. “Ju keni bërë gjithçka për ta prishur këtë rend,” tha ai, duke iu drejtuar opozitës.
Në përmbyllje, Kryetari i Kuvendit bëri një apel të fundit për mirëkuptim dhe marrëveshje politike, për të normalizuar punimet e Kuvendit.
Gjekmarkaj-Peleshit: Meqë jeni lodhur, mbylleni Kuvendin! Po ju zhbëjnë, po ju komandojnë
Opozita vijon me debate në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku akuzon kryetarin Niko Peleshi se po i mohon fjalën deputetëve të PD-së. Në mbledhje, deputeti Agron Gjekmarkaj me ironi i tha Peleshit se nëse është lodhur, ta mbyllë Kuvendin. Me ironi Gjeklmarkaj i tha Peleshit se po e komandojnë.
“Unë mendoj se secili është përgjegjës për veten dhe për retorikën që ndërton! Ju na thoni: “Fol si duhet, fol ashtu, fol kështu, fol gjatë, fol shkurt, mos bëj moral, mos bëj zhurmë…”
Por a është normale që nga pala tjetër të na mësojnë se si duhet të sillen deputetët? Kjo është çështje e secilit. Mos u sillni me arrogancë si edukatorë!
Më bëri përshtypje në sallë një fyerje që zoti Balla bëri jashtë mikrofonit, ndërsa zonjat e PS-së, të cilat shtrembëruan fytyrën për fjalët e Bardhit, nuk e dëgjuan “aromën akustike” të metaforës së Taulant Ballës! Gjithë kohës mbani dy standarde, dhe zoti Balla duhet të kërkojë falje. Nuk e kuptoj këtë çmenduri të këtyre muajve njoftime, procesverbale, dhe pastaj ikni me vrap!
Meqë jeni lodhur, ju sugjeroj ta mbyllni këtë parlament deri në pranverë: pushoni, reflektoni kalon dimri, vjen pranvera, dhe pastaj shohim e bëjmë! Më vjen keq për ju, zoti kryetar, sepse po ju zhbëjnë, po ju nxjerrin në prita, po ju komandojnë nga poshtë e nga lart! Thonë që për gjashtë muaj do t’ju zënë vendin! Nuk po bëj diversion, por po konstatoj derexhenë institucionale ku jemi katandisur”, tha Gjekmarkaj.