AKTUALITET, 2 Shkurt 2024, 10:28

Koncesioni i sterilizimit, rektori i Universitetit të Mjekësisë paraqitet sërish në SPAK

Koncesioni i sterilizimit, rektori i Universitetit të Mjekësisë

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata është paraqitur sot në SPAK.

Gjata ka shkuar në Prokurorinë e Posaçme siç e përcakton procedura, pas masës së caktuar ndaj tij ‘Detyrim paraqitje’ nga GJKKO për çështjen e “Sterilizimit”.

Kujtojmë se Gjata, në kohën kur u lidh koncesioni më dhjetor të vitit 2015 ka pasur detyrën e anëtarit të komisionit të koncesionit të sterilizimit.

Atëherë ai shprehej se infeksionet spitalore ishin arsyeja kryesore, se përse koncesioni ishte mënyra e vetme për të përmirësuar situatën në spitalet në vend dhe për të patur një shërbim me cilësor. Por asnjë prej anëtarëve nuk shpjegoi dot, sesi kostot u rritën dhe se përse ata nuk kishin mundur të parashikonin këtë gjë.

“Nga eksperienca që kam në këtë fushë mënyra e procedimit me prokurim të zakonshëm mund të çonte në dështim. Do duhej që të gjitha shërbimet e parashikuara të prokuroheshin me procedura të veçanta. Përsa i përket prokurimit të instrumentarit, mesa jam në dijeni, procedura e fundit e prokurimit të tyre është bërë në vitin 2004. Kompanitë seriozë që ofrojnë cilësinë më të lartë nuk janë të interesuara për tregun shqiptar. Ndërsa koncesioni në fjalë tërhoqi një kompani serioze, siç ishte ajo që fitoi procedurën.”, theksonte Gjata 9 vite më parë.

Në shtator 2023 GJKKO caktoi masën ‘detyrim paraqitje’ për Gjatën, ndërkohë siç e përcakton edhe procedura ai duhet të paraqitet në SPAK të premten e parë dhe të premten e fundit të çdo muaji.

Përveç Gjatës, në SPAK ka shkuar siç e kërkon procedura, edhe Genc Byrazeri, i cili ka qenë anëtar i Komisionit të tenderit të sterilizimit.

Gjata, në kohën kur u lidh koncesioni më dhjetor të vitit 2015 ka pasur detyrën e anëtarit të komisionit të koncesionit të sterilizimit.

Kujtojmë se me urdhër të SPAK për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milion euro janë arrestuar ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, pronari i kompanisë Investital LLC.