AKTUALITET, 17 Dhjetor 2024, 13:16

Komisioni i Ligjeve/ Anulimi i gjobave, Balla: Nisma, si në vendet e Bashkimit Europian

Komisioni i Ligjeve/ Anulimi i gjobave, Balla: Nisma, si në vendet e

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve kërkoi miratimin e nismës së Partisë Socialiste “Për anulimin e masave administrative” për tre fashat e përfshira në projektligj: Falja e gjobave për ndërtimet pa leje në fshat, faljen e gjobave të kohës së pandemisë që nuk janë shlyer ende, si dhe falja e gjobave të vendosura po në zonat rurale nga Ujësjellës-Kanalizimet, kryesisht ato ndaj bujqve dhe fermerëve.

Balla vlerësoi praktikën e mirë që Kuvendi ka ndjekur, duke ngritur një grup pune, i cili punoi gjatë për të hartuar një politikë të tillë.

“Si përfaqësues i Këshillit të Ministrave dhe në emër të ministrive dua të shpreh dakordësinë tonë në parim sa i përket miratimit të këtij projektligji, për anulimin e masave administrative.

Nisma, duhet të informoj kolegët nuk është një nismë që nuk gjendet në vende të tjera, dhe këtu i referohem kryesisht vendeve të BE.

E gjej plotësisht në të njëjtën linjë të ndërmarr në disa vende të BE dhe është e njëjtë me një të tillë në Itali dhe Francë, sa i përket shkeljeve të vogla administrative, ku janë zbatuar anulime masash të ngjashme për ndërtimet e vogla pa leje, duke synuar siç thotë parlamenti italian uljen e barrës financiare ndaj qytetarëve”, tha ministri Balla.

Ai solli si shembull edhe nxitjen e formalizimit në zonat rurale në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ku vende si Hungaria dhe Polonia, në të njëjtën frymë që vjen nga grupi parlamentar i PS, kanë zbatuar politika për faljen e gjobave ndaj subjekteve rurale për ndërtimet, ose aktivitetet e tyre në shkëmbim të një formalizimi të mëvonshëm.

Sipas ministrit, parimi i parashkrimit për masat administrative është dyvjeçar, ndaj projektligji ‘bie tërësisht në linjën e një standardi të vendosur nga parlamentet e vendeve te BE’, ndërsa sugjeroi disa saktësime.

“Në këtë kontekst unë sa i përket shprehjes në parim, sepse për këtë jemi këtu, dua të shpreh dakordësinë e qeverisë për miratimin e këtij projektligji. Dhe ndërkohë në komunikim me Ministrinë e Drejtësisë do të sugjeronim disa saktësime të natyrës të teknikës legjislative.

Me qëllim që qoftë në titullin e ligjit, pra do të ishte mirë që anulimi i masave administrative të shoqërohej dhe me identifikimin e karakterit ndëshkues të vendosur ndaj subjekteve që ushtrojnë veprimtari bujqësore dhe blegtorale, në mënyrë që mos ketë një karakter të përgjithshëm dhe që mund të përdoret për qëllime të tjera, por të identifikohet plotësisht sektorët në të cilat ndërhyhet”, tha Balla.