AKTUALITET, 15 Janar 2023, 00:11

Luiz Ejlli bullizon gratë, por shqiptarët "mbarojnë" për të

Luiz Ejlli bullizon gratë, por shqiptarët "mbarojnë"

Këngëtari Luiz Ejlli, një nga banorët e Big Brother "Vip",  ka bullizuar (ngacmuar) live, disa prej vajzava pjesëmarrëse në këtë show. 

Ejlli, një personazh kontrovers, që shpesh shan dhe ofendon pjesëmarrësit, ka arritur kulmin duke përdorur gjuhë seksiste dhe fyese gjatë spektaklit që transmetohej drejtëpërdrejt në Top Channel. 

Gjatë mbrëmjes, Ejlli ka bullizuar njërën prej banoreve, Tea Trifoni, duke e ofenduar dhe sharë për pamjen e saj, por çuditërisht, audienca në studio e ka duartrokitur edhe pse Trifoni po qante, ndërkohë që këngëtari e ka kaluar të gjithë situatën me një buzëqeshje.

Pas këtij episodi, Ejlli ka “traumatizuar” nje tjetër konkurente, Kejvina Kthellën, duke e ofenduar me gjuhe seksiste, të papranueshme. Sërish konkurentja shpërtheu në lot.

Reagimet e publikut, kanë qenë të habitshme, në kufijtë e të pabesueshmes. Në faqen e Youtube të Top Channel, ku Big Brother Vip është transmetuar live me një audiencë rekord, ka mijëra komente, që përgëzojnë këngëtarin. 

Nga ana e produksionit të këtij formati televiziv, nuk janë marrë masa, përveç një paralajmërimi ndaj këtij konkurenti, i cili manifeston injorancë të thellë ndaj efekteve të bullizmit tek të tjerët.