AKTUALITET, 12 Qershor 2023, 21:53

“Ju a kishit komisionerë aty?”, Rakipi debaton me Bylykbashin për videon e Berishës ku denoncon vjedhjen e votave

“Ju a kishit komisionerë aty?”, Rakipi debaton me Bylykbashin
Fotomontazh: Bylykbashi dhe Rakipi

Nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi, komentoi në emisionin “Të Paekspozuarit” videon e votimit elektronik në një qendër votimi të Elbasanit, më 14 maj, ku akuzohet një komisionere e PS-së, se ka asistuar votuesit duke i orientuar që votojnë për kandidatin e PS-së për bashkinë e Elbasanit. Por drejtuesi i emisionit, Ylli Rakipi replikoi me Bylykbashin, duke e pyetur nëse PD-ja e Berishës kishte komisioner aty dhe pse nuk u ndalua kjo që sot quhet krim zgjedhor.

Debati në studio

Rakipi: Ju do të dilni në rrugë apo jo?

Bylykbashi: Ata që dalin në rrugë kanë ndonjë arsye apo hajde të dalim?

Rakipi: Për mua jo.

Bylykbashi: Unë mendoj që po.

Rakipi: Për mua jo, sepse ju deri të dielën vonë në darkë nuk thatë asnjë fjalë.

Bylykbashi: Jo, jo.

Rakipi: Uaaaa! Një gjysëm fjale.

Bylykbashi: Jo nuk është e vërtetë. Ja të shohim këtë të Elbasanit. Votat nuk i ka numëruar elektronika. Është shumë interesante se si Edi Rama vendosi Elbasanin dhe Kamzën për votim dhe numërim elektronik, sepse propozimi ynë ishte për Elbasanin dhe Durrësin si bashki të fuqishme. Rama insistoi për Elbasanin dhe Kamzën. Ajo pajisje nuk të lë të bësh një seri veprimesh të caktuara, është e verbër se kush e shtyp ekranin dhe nuk mund të bësh zhgarravina. Duhet patjetër dikush që të sigurojë që vota shkon atje ku duhet. Aty ku i është thënë me sistemin e patronazhimit, ku është dhënë para, kërcënuar. Është e kundraligjshme nga ana penale ajo që ndodh në atë qendër votimi. Zgjedhësi pasi jep dokumentet e identifikimit, shkon te ekrani dhe voton vetëm.

Rakipi: Në zgjedhjet e mëparshme, nëna ime ka shkuar me njerëz të afërm e shoqëruar sepse nuk mund të votonte vetëm. Aty çfarë ka ndodhur?

Bylykbashi: Operatori i sistemit, komisioner, ka asistuar shumë herë zgjedhësit, ndonëse ligji thotë se lejohet vetëm për ata që kanë kufizime fizike, pra i verbër ose nuk ka duar.

Rakipi: Ju kishit komisionerë aty?

Bylykbashi: Nuk ka rëndësi.

Rakipi: Po si s’ka rëndësi? Kishit komisionerë apo jo? Tani ju mendoni se Edi Rama kishte menduar ta bënte duke çuar këta këtu?

Bylykbashi: Kjo ka ndodhur në Elbasan dhe Kamëz dhe votimi ka qenë i kontrolluar dhe vota nuk ishte as sekrete dhe as e lirë.