AKTUALITET, 6 Maj 2026, 20:39

Hoxha nga Shkodra: Arsimi profesional, çelësi i integrimit evropian dhe zhvillimit të vendit

Hoxha nga Shkodra: Arsimi profesional, çelësi i integrimit evropian

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka zhvilluar një vizitë në Shkodër në shkollën e mesme teknike industriale “Peter Mahringer”, ku është njohur nga afër me procesin e formimit profesional të nxënësve në këtë institucion me profil evropian.

Në një postim në platformën X, Hoxha e cilësoi shkollën si një model i shkëlqyer bashkëpunimi me Austrinë, një vatër mësimdhënieje evropiane, e mbështetur nga Ministria Federale e Arsimit e Austrisë, ku nxënësit shqiptarë përfitojnë arsim profesional sipas standardeve më të mira evropiane.

Sipas ministrit, në këtë shkollë teoria akademike ndërthuret me praktikën intensive, veçanërisht në fushën e teknologjisë, duke përgatitur të rinjtë për tregun modern të punës.

“Pikërisht në vende si ky, ku ndërtohen historitë e para të suksesit, pata kënaqësinë të ndaj me nxënësit mesazhin se asgjë nuk është e pamundur kur ka dedikim, përkushtim, punë dhe energji të investuara për mirë, për të ardhmen”, shkruan Hoxha.

Ai vlerësoi rolin e të rinjve si motor i zhvillimit të vendit dhe pjesë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

“Këta të rinj që sot mësojnë, aftësohen dhe krijojnë janë profesionistët dhe qytetarët e së nesërmes, forca që do të çojë përpara zhvillimin e vendit dhe do të përfaqësojë denjësisht vlerat shqiptare në Bashkimin Evropian. Ata janë fytyra e Shqipërisë që avancon çdo ditë me besim drejt anëtarësimit, si pjesë e pandashme e familjes evropiane”, theksoi Hoxha.