AKTUALITET, 23 Qershor 2026, 14:10

Gjyqi ndaj Kristjan Shkrelit/ Dëshmon Aleksandër Dodani në SPAK: Më mori në telefon për votat, por…

Gjyqi ndaj Kristjan Shkrelit/ Dëshmon Aleksandër Dodani në SPAK:

Në seancën e fundit gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme, ka dëshmuar Aleksandër Dodani, i thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli.

Përpara trupit gjykues, Dodani ka konfirmuar dëshminë e dhënë më herët në prokurori, ndërsa është pyetur mbi kontaktet me kryebashkiakun Shkreli gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të fundit.

Dëshmia e plotë në sallën e gjyqit:

SPAK: Jeni në dijeni për një investim për një linjë elektrike në shërbim të banorëve?
Dëshmitari Aleksandër Dodani: Jo.

SPAK: A e njihni Kristjan Shkrelin?
Dëshmitari: Jemi të zonës. Është kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës.

SPAK: Në zgjedhjet elektorale të vitit të kaluar, a keni pasur kontakt për zgjedhjet?
Dëshmitari: Unë s’kam pasur kontakt. Më ka marrë në telefon. Kam një mik timin aty në Araç, zona jonë është e ndarë PS-PD. Miku im është i djathtë, unë jam i majtë. Kristjan Shkreli më ka marrë në telefon. Unë mikut tim (krushkut) i kam thënë të votojë për PS, por ai është demokrat.

Më pas, dëshmitari u pyet nga pala mbrojtëse e kryebashkiakut Shkreli nëse ka pasur tentativa për blerje vote apo presione:

Avokati: Ju kërkoi votën kundrejt ndonjë përfitimi?
Dëshmitari: Jo.

Avokati: Kristjani ju ka bërë ndonjë presion?
Dëshmitari: Absolutisht jo.

Pas përfundimit të dëshmisë, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar shtyrjen e seancës me qëllim paraqitjen e provave të tjera shkresore që lidhen me dosjen hetimore.

Kjo kërkesë u pranua nga Gjykata, e cila vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 14 korrik, në orën 14:00, ku pritet që palët të njihen me dokumentacionin e ri të prokurorisë.