AKTUALITET, 11 Mars 2024, 14:03

Gjykata e Strasburgut e quajti shkarkimin të padrejtë, KPA ‘shuan’ vendimin e Vettingut dhe vendos rishikimin e çështjes për Antoneta Sevdarin

Gjykata e Strasburgut e quajti shkarkimin të padrejtë, KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit mori sot në rishqyrtim në seancë publike çështjen e ish–prokurores Antoneta Sevdari, për të cilën Gjykata e Strasburgut vendosi ta kthejë në detyrë.

Kjo është hera e parë që një vendim shkarkimi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me forme të prerë rimerret në shqyrtim.

Në seancën e zhvilluar ditën e sotme (11 mars) KPA vendosi të pranojë kërkesën e Antoneta Sevdarit për të rishikuar vendimin e dhënë nga vetë Kolegji, në datën 28 shkurt 2019, që e shkarkoi atë nga detyrë.

KPA ka vendosur që çështja e Antoneta Sevdarit do të gjykohet edhe njëherë në themel.

Po ashtu është vendosur “prishja e vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (JR) nr. 6, datë 28.02.2019 dhe rigjykimi i çështjes gjyqësore të juridiksionit të rivlerësimit (JR) nr.17, datë 13.09.2018 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 42, datë 18.07.2018”.

KPA ka vendosur që seanca gjyqësore publike për vazhdimin e gjykimit të çështjes në themel do të zhvillohet në datën 17.04.2024, ora 10:00.

Kujtojmë që Gjykata e Strasburgut dënoi Shqipërinë me dëmshpërblimin e ish-prokurores me disa paga dhe sugjeroi të rishikohej vendimi i shkarkimit të saj pasi i janë shkelur disa të drejta gjatë rivlerësimit kalimtar.

Kërkesa e Sevdarit për rishikim në Kolegj erdhi pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ gjeti shkelje të nenit 8 të Konventës në rastin e shkarkimit të saj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Gjykata vuri në dukje se vendimi i shkarkimit ishte “disproporcional”, por theksoi se rasti i Sevdarit duhet të konsiderohet përjashtimor dhe se nuk mund të kthehet në një referencë kundër procesit të vetingut në tërësi.