AKTUALITET, 2 Korrik 2025, 10:52

FOTOT/ Meta ankohet pse Prokuroria e konsideron ende të martuar me Monikën, 'dekonspiron' ish bashkëshorten: Organizata kriminale SPAK

FOTOT/ Meta ankohet pse Prokuroria e konsideron ende të martuar me

Nga qelia, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka lëshuar një tjetër deklaratë të ashpër ndaj SPAK-ut, të cilin e cilëson si "organizatë kriminale", duke e akuzuar për shpërndarje dizinformacioni në media të kontrolluara sipas tij nga paratë e inceneratorëve. Në një tekst të shpërndarë sot, Meta hedh poshtë pretendimet për përfshirjen e tij në një çështje me një kartë bankare të padeklaruar, duke theksuar se emri i tij nuk është përmendur nga autoritetet amerikane.

Meta nënvizon se qëllimi i këtij “skenari” është diskreditimi i tij politik dhe i opozitës që ai përfaqëson, duke akuzuar SPAK-un se vepron nën urdhrat politikë të Partisë Socialiste. Ai paralajmëron se do të publikojë dokumentacionin e plotë nga autoritetet amerikane për të treguar se ndaj tij nuk ka asnjë referencë komprometuese lidhur me çështjen e përfolur.

Megjithatë, një detaj që Meta e ngre si shembull të “abuzimit të qëllimshëm” të SPAK-ut, është mënyra si ai paraqitet në aktakuzë: ende si i martuar me Monika Kryemadhin. "SPAK është kaq i zbuluar në aktivitetin e tij kriminal... sa është i obsesuar të më mbajë mua të lidhur në çift me Monikën", shkruan Meta, duke ironizuar organin e akuzës dhe duke e krahasuar me Pilo Peristerin që "përpiqej të mbante çiftet me dhunë".

Sipas tij, kjo përbën një tjetër provë të qëllimeve politike të Prokurorisë së Posaçme, pasi, siç deklaron, statusi i tij martesor me Kryemadhin është zyrtarisht i mbyllur dhe ky fakt është i njohur për SPAK-un. "Kjo marrëdhënie nuk ekziston prej kohësh në gjendjen civile të Republikës së Shqipërisë dhe ata e dinë shumë mirë", thekson Meta.

Postimi i plotë i Metës:

Organizata kriminale SPAK vazhdon të shpërndajë dizinformacione në televizionet dhe mediat e blera me paratë e pista të inceneratorëve, për fat të keq edhe në Televizionin Publik Shqiptar (RTSH), sikur gjoja autoritetet amerikane kanë përmendur emrin tim për një kartë bankare të padeklaruar.

Në respekt të së vërtetës dhe të ligjit, por edhe të mos lejimit të mëtejshëm të diskreditimit me qëllim të autoriteteve amerikane nga ana e SPAK, vetëm në funksion të axhendës së Narkoregjimit për asgjësimin e opozitës së vërtetë politike, po publikoj sot të plotë përgjigjen e autoriteteve amerikane në lidhje me çështjen dhe përdorimin e kartave bankare.

SPAK është kaq i zbuluar në të gjithë aktivitetin e tij kriminal që nuk ka lidhje me hetimin, por vetëm me urdhrin politik të Edi Ramës nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, sa është i obsesuar të më mbajë mua të lidhur në çift me Monikën (SPAK njësoj si Pilo Peristeri që përpiqej të mbante çiftet me dhunë) duke shkruar qëllimisht edhe në akuzën zyrtare të 26 Majit statusin tim si i martuar, kur kjo marrëdhënie nuk ekziston prej kohësh në gjendjen civile të Republikës së Shqipërisë dhe ata e dinë shumë mirë.