TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Reshjet me intensitet të lartë që kanë përfshirë vendin në 24 orët e fundit si dhe reshjet në Greqi kanë rritur së tepërmi prurjet në lumin Vjosë dhe si pasojë ka sjellë edhe daljen e saj nga shtrati.
Mëngjesin e ditës së sotme shtabi emergjencave të prefekturës Fier dhe Bashkia ka njoftuar banorët më pranë shtratit të Vjosës për t’u evakuuar. Në disa zona niveli i ujit ka shkuar në 50 cm deri në 1 m.
Në Ferras, Çerven janë përmbytur serat dhe fermat duke dëmtuar tokat bujqësore, teksa uji ka hyrë deri në katin e parë të banesave.
Ndërkohë nënstacioni elektrik i Poçemit është ndalur që në orën 1:30 të natës dhe janë pa energji elektrike rreth 3700 abonentë. Pa energji janë fshatrat Hekal, Fratar, Selitë, Kutë.
Forcat e ushtrisë iu kanë ardhur në ndihmë banorëve, që preken nga përmbytjet e lumit Vjosë në Fier.
Dalja e Vjosës nga shtrati, 11 banesa të përmbytura në dy fshatra të Vlorës, dëmtohet ura e Mesaplikut
Situatë e rënduar nga përmbytjet në Vlorë. Bëhet me dije se për shkak të daljes së Vjosës nga shtrati janë përmbytur 11 banesa, 4 në fshatin Fitore dhe 7 në Novoselë, ndërsa banorët janë evakuuar.
Po kështu mësohet se në Selenicë, në zonën e quajtur ‘Bishti i Malit, ka ujë në rrugë. Ndërkaq Ura e Mesaplikut është e dëmtuar dhe banorët janë të izoluar.
Regaon edhe Ministria e Mbrojtjes:
Ministria e Mbrojtjes jep të dhëna për situatën në vend të krijuar nga reshjet e shiut dhe të borës. Sipas Ministrisë, intensiteti i reshjeve është shtuar shumë 24 orët e fundit.
Shqetësuese është situata e krijuar për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosa në urën e Mifolit. Kjo ka shkaktuar përmbytje në fshatin Novoselë dhe në fshatin Ferras. Prej orëve të para në zonë janë angazhuar mbi 75 efektivë të FA dhe mjete, të cilat po u vijnë në ndihmë strukturave të emergjencave civile në Vlorë e Fier.
Vijon puna në terren për të pastruar nga uji disa rrugë në bashkinë Gjirokastër, Dropull e Këlcyrë. Punonjësit e Autoritetit Rrugor po vijojnë punën prej dy ditësh për të garantuar qarkullimin e lirë.
Me prioritet po ndiqet situata e krijuar si pasojë e prurjeve të lumit Shushica që nxori jashtë funksionit urën e fshatit Mesaplik në bashkinë Selenicës, por edhe në fshatin Kallarat në bashkinë Himarë.
Probleme ka sjellë edhe dalja e lumit Osum në fshatin Verrik në Berat, ndaj në bashkinë Dimal e Kuçovë janë evakuuar disa familje. Ministria e Mbrojtjes u bën thirrje banorëve në zonat, ku ka probleme të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuim nëse do të jetë e nevojshme.
Si pasojë e reshjeve të shumta të dëborës po ndiqet nga strukturat edhe situata në rrugën Bogë Qafë Thorë dhe Peshkopi- Lurë. Të gjitha strukturat e pushtetit vendor ndodhen në terren për të garantuar vijimin e furnizimit normal me ujë, energji të qytetareve në të gjithë vendin. Forcat e Armatosura nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri për çdo nevojë.











