AKTUALITET, 21 Dhjetor 2023, 18:02

Eksporti shqiptar rrezikon falimentin, shkurtohen vende pune. Prodhuesit paralajmërojnë protesta

Eksporti shqiptar rrezikon falimentin, shkurtohen vende pune. Prodhuesit

Eksporti shqiptar rrezikon falimentin. Në një deklaratë përfaqësuesit e sektorit kërkojnë marrjen e masave, në të kundërtën paralajmërojnë për protesta. Sipas treguesve të bilanceve të tyre, ata ngrenë alarmin se nuk po ja dalin të mbajnë në këmbë aktivitetet. Renja drastike e euros përgjatë vitit të fundit ka shkaktuar dëme me impakt të rëndësishëm ekonomik dhe social në këtë sektor, i cili është shumë vulnerabël ndaj luhatjeve të këmbimit.

Zhvlerësimi i euros ka çuar në humbje të konkurueshmërisë së produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare, si rrjedhojë e presionit për të rritur çmimet për të kompensuar kostot e larta. Gjithashtu dhe presioni i inflacionit i cili ka shkaktuar rritjen e kostove direkte.

Shumë ndërmarrje prodhuese shprehen se, të gjendur përballë këtyre vështirësive, janë të detyruar të reduktojnë forcën punëtore.  Masat drastike që do të ndërmerren do të kenë impakt direkt social, duke rritur normën e papunësisë me 6%, ku kryesisht papunësia më e madhe do të ndiet tek të rinjtë.

Sipas eksportuesve, punëtorët dhe bizneset që punojnë në prodhim janë lënë vetëm përballë këtyre sfidave. Në një mbledhje midis përfaqësuesve dhe grupeve të interesit me Organizatat e Shoqërisë civile, u kërkua një matje dhe vlerësim të impaktit të kësaj situate në ekonominë e vendit, si dhe adresim me masa konkrete nga ana e qeverisë dhe institucioneve përkatëse.