TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pesë gëzhoja janë gjetur në vilën në Foria di Centola, në Cilento në provincën e Salernos, ku sipërmarrësi Aurelio Valiante, pronar i shtëpisë, vrau një nga hajdutët që kishin hyrë për ta grabitur dhe plagosi një prej tyre, ndërsa i treti arriti që të largohej. Këto janë rezultatet e hetimeve të kryera nga policia italiane lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e 22 qershorit.
Ndërkohë janë publikuar edhe rezultatet e autopsisë së kryer mbi trupin e Rivaldo Rusit, 26-vjeçarit shqiptar, trupi i të cilit u transportua në një fuçi vere dhe u gropos disa kilometra larg pronës. Tre plumba dyshohet se u qëlluan nga hajdutët, të cilët kishin gjetur një armë brenda kasafortës në vilë, që mbahej ligjërisht nga biznesmeni italian.
Ky detaj tregon se ka pasur një shkëmbim zjarri mes tij dhe 3 hajdutëve shqiptarë. Ndërkohë autopsia ka treguar se Rivaldo Rusi u qëllua nga një plumb i vetëm, por në shpinë, e shtënë që ka rezultuar fatale për jetën e tij. Plumbi i dytë ka qëlluar Xhuljan Kurtin që e ka prekur midis shpatullës dhe gjoksit. Ky i fundit mbeti i plagosur dhe u dërgua në spital në Cardarelli në Napoli. Mallrat e vjedhura në vilën e biznesmenit, sipas mediave italiane, janë gjetur.
Biznesmeni Aurelio Valiante, akuzohet për vrasje dhe fshehje të një kufome, ndërsa vëllai i tij Marco, 50 vjeç, dyshohet se e ka ndihmuar të heqë qafe trupin e të riut shqiptar. 27 vjeçari Xhuljan Kurti, banor në Acerra, një nga bashkëpunëtorët e Rivaldo Rusit, është tani nën arrest.
Tre hajdutët thuhet se kanë hyrë në shtëpi dhe kanë marrë para e sende me vlerë, si dhe një armë. Ata janë përpjekur që të arratisen nga një dritare dhe ka nisur përplasja me armë zjarri me pronarin e vilës.
Ndërkohë, familja Valiante, e cila u transferua në një vend të mbrojtur pas kërcënimeve nëpërmjet rrjeteve sociale nga ana e familjarëve të viktimës që shprehen se “gjaku paguhet me gjak”, ashtu edhe pas bastisjes së vilës nga disa dhjetëra shqiptarë që donin hakmarrje, ka vendosur të fillojë një mbledhje fondesh për të mbuluar shpenzimet ligjore.
Njoftimi u bë në një shënim të publikuar në orët e fundit, në të cilin shprehet gjithashtu falënderim për ata që, në ditët e fundit, kanë treguar solidaritet. “Ne e gjejmë veten të detyruar të përballemi me një proces ligjor të vështirë dhe të kushtueshëm”, thuhet në mesazh, duke shtuar se “në këtë situatë të dhimbshme, kemi ndjerë ngrohtësinë dhe solidaritetin e kaq shumë njerëzve, të cilët janë mbledhur rreth nesh me dashuri dhe mbështetje konkrete. Faleminderit atyre që kanë zgjedhur të kontribuojnë me një donacion: afërsia juaj na jep forcë dhe shpresë. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që po bëni për ne.", sqarohej në një shënim.