AKTUALITET, 9 Gusht 2022, 11:35

“Dita e Ashures”/ Baba Mondi: Luftoni veset e këqija, ndërgjegjësim në kohërat e vështira që po kalon bota

“Dita e Ashures”/ Baba Mondi: Luftoni veset e këqija,

Në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve është zhvilluar ceremonia e festës së “Ditës së Ashures”.

Kryegjyshi i Bektashinjve, Baba Mondi i është drejtuar pjesëmarrësve në ceremoni me një thirrje, duke kërkuar që “të bëhen vepra të mira dhe gjithmonë të ndihmohen të tjerët”, sidomos në kohërat e vështira që bota jonë po jeton.

“Në këtë mënyrë të jetuarit së bashku në kulturën tonë, me vështirësitë që kjo botë po kalon, luftërat, vrasjet, pandemitë na mësojnë të ndajmë me njëri tjetrin, dashurinë, hidhërimin, pikëllimin dhe barrën e vështirësive që na sjell jeta.

Filloni nga ndërgjegjësimi i vetes suaj dhe bëni vetëm të mira. Bëni vetëm të mira dhe Zoti do t’ua shpërblej. Luftoni veset e këqija dhe duajeni jetën. Shpirtrat e bardhë të dëshmorëve të Qerbelasë, na ofrojnë këshillën dhe virtytet e tij për të ecur në rrugën e së vërtetës në çdo koncept të jetës. Zoti na bekoftë të gjithëve, Amin!”, tha Baba Mondi.

Fjala “ashura” vjen nga gjuha arabe dhe rrjedh nga rrënja “ashr” që në arabisht do të thotë dhjetë, ndaj “Dita e Ashures” është dita e dhjetë e muajit Muharem dhe tepër e rëndësishme sa i përket historisë së profetëve.