AKTUALITET, 11 Nëntor 2024, 12:06

Deputeti biznesmen i PS-së takon përfituesin e burgosur të koncesionit 100 milionë euro, plas sherri në Kuvend

Deputeti biznesmen i PS-së takon përfituesin e burgosur të
Rrapaj dhe Sinaj në kuvend

Kryetarja e Komisionit Hetimor Parlamentar për Shëndetësinë, Albana Vokshi ka pretenduar se deputeti i PS-së, Vullnet Sinaj është përpjekur që të intimidojë biznesmenin e burgosur, Ilir Rrapaj, i cili është thirrur në dëshmitar në mbledhje për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit.

Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi deklaroi se deputeti socialist, Vullnet Sinaj po takohej me dëshmitarin Ilir Rrapaj.

Biznesmeni Ilir Rrapaj mbërriti i prangosur në Kuvend për të dëshmuar për çështjen e koncesionit të sterilizimit.

Por Vokshi tha se Sinaj është takuar me të për më shumë se gjysmë ore, duke e akuzuar se po e intimidon. Vokshi tha se Sinaj po e imponon biznesmenin për gjërat që duhet të thotë në komision.

Deputeti socialist Plarent Ndreca tha se nuk ka asgjë nëse Sinaj takohet me biznesmenin e prangosur, pasi një takim i tillë mund të ndodhë edhe në burg.

Vokshi tha se Sinaj mund të takohet sa të dojë në burg, por jo në ambientet e Kuvendit.

Ajo tha se ky është intimidim dhe kërkoi që Sinaj të mos futet në seancë.

Ajo kërkoi që Vullnet Sinaj të largohej nga dëshmitari, duke u shprehur “të shkojë në burg dhe të flasë, hyn dhe këtu bën edhe garipin”.

“Jo kot mbahet në arrest me burg, që të mos impaktohet nga askush tjetër”, u shpreh kryetarja e Komisionit Hetimor.

Debati

Albana Vokshi: Vullnet Sinaj ka 30 minuta që është ulur me dëshmitarin, të largohet, as të mos e intimidojë, as të mos i afrohet. Nuk ka punë. Të mos intimidojë, as mos të ndikojë, dhe të largohet nga dëshmitari.

Këtë punë e bëtë edhe kur erdhën dëshmitarët e tjerë nga burgu, ia dërguar një e nga një, Vullnet Sinaj ka 30 min. Nuk ka punë fare, sepse është i ndaluar.

Jo kot mbahet në arrest me burg, që të mos impakohet nga askush tjetër.

(Sinaj hyn në sallë dhe flet tek dera)

Albana Vokshi: Sinaj ju lutem nuk keni punë me dëshmitarin, shkoni në burg takojeni, jo këtu. Nuk futeni dot në Komision. Dilni nga Komisioni dhe mos takoni personin dëshmitar. Ju ka organizuar Edi Rama, kaq shumë po shqetësoheni nga dëgjesat e sotme.

Plarent Ndreca: Mos bëj teatër, s’ka kuptim. Nuk kam informacionin që ke ti se ka ndikuar.

Albana Vokshi: Në 30 minuta  e ka takuar për qejf.

Plarent Ndreca: Çfarë e keni këtë kërcyer.

Albana Vokshi: Hyn dhe këtu bën edhe garipin.

Plarent Ndreca: Fakti që po flet me dikë s’do të thotë që po flet për objektin.

Albana Vokshi: A është në arrest me burg ky njeriu? Jo pa qëllim është, që të mos kontaktojë me njerëzit e tjerë. Të ulet deputeti 30 minuta të flasë, të shkojë në burg dhe të flasë.