TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka lënë në burg Muhamet Rreshkën, 76-vjeçarin që akuzohet se vrau me thikë vëllain e tij, Eqerem Rreshkën, në fshatin Agonas të Kavajës.
Në seancën e zhvilluar më 28 qershor, gjykata vlerësoi të ligjshëm arrestin në flagrancë dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë "arrest në burg". Ai po hetohet për veprat penale "Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta".
Seanca gjyqësore është zhvilluar pa praninë e familjarëve. Autori mësohet se është babai i tre fëmijëve.
Po ashtu, bëhet me dije se Gjykata i ka caktuar 76-vjeçarit një avokat kryesisht (përmes së cilit legjislacioni shqiptar garanton mbrojtje ligjore falas për personat që nuk kanë mundësi ekonomike për avokat privat).
Ngjarja ndodhi më 25 qershor. Sipas raportimeve, Eqerem Rreshka ishte kthyer me zetor pasi kishte marrë dengje bari në arë, kur u përball me vëllain e tij. Mes tyre nisi një debat, pasi 76-vjeçari nuk donte që ai të kalonte në atë rrugë. Konflikti u përshkallëzua dhe, sipas të dhënave, pasi ishte shtyrë me zetor, Muhamet Rreshka nxori një thikë dhe e goditi disa herë vëllain, i cili humbi jetën.
Pas krimit, policia arrestoi autorin dhe sekuestroi thikën e përdorur. Sipas raportimeve, 76-vjeçari, i cili ushtronte edhe detyrën e kryeplakut të fshatit, ka shprehur pendesë pas ngjarjes.