TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) shënoi një rënie prej 2.2 pikësh gjatë muajit qershor, ndikuar kryesisht nga dobësimi i besimit në sektorin e shërbimeve dhe atë të industrisë. Megjithatë, TNE-ja mbetet ende në nivele të larta, duke qëndruar 6.4 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Në sektorin e industrisë, treguesi i besimit ra me 2.3 pikë përqindje, duke reflektuar vlerësime më pak optimiste për prodhimin industrial dhe pritje në rënie për porositë nga eksportet.
Aktualisht, ky tregues ndodhet 6 pikë përqindje mbi mesataren historike. Ndërkohë, pritjet për punësimin në të ardhmen janë ulur, ndërsa çmimet e pritshme të produkteve pritet të mbeten të pandryshuara.
Ndërsa besimi në sektorin e ndërtimit regjistroi një rritje prej 1.6 pikësh përqindje, duke e çuar këtë tregues 15.4 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Rritja u ndihmua nga vlerësime më pozitive për aktivitetin aktual në këtë sektor. Megjithatë, pritjet për punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë ulur.
Sektori i shërbimeve pati një rënie më të theksuar të besimit, me 5 pikë përqindje, krahasuar me muajin e kaluar. Pavarësisht kësaj, niveli i këtij treguesi qëndron ende rreth 11 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rënia pasqyroi vlerësime më pak optimiste për aktivitetin aktual dhe kërkesën, si dhe pritje më të ulëta për punësimin.
Ndërkohë, janë rishikuar për lart çmimet në të ardhmen.
Treguesi i besimit në tregti mbeti thuajse i pandryshuar, me një nivel rreth 6 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja e vlerësimeve për ecurinë aktuale të biznesit u shoqërua me pritje më të ulëta për punësimin dhe për ecurinë e ardhshme të biznesit, si dhe për çmimet.
Edhe treguesi i besimit konsumator mbeti pothuajse në të njëjtin nivel me muajin e kaluar, duke qëndruar 2.5 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Rritje u shënuan në vlerësimet për situatën ekonomike në të ardhmen dhe për blerjet aktuale në shuma të mëdha, ndërkohë që pritjet për situatën financiare dhe blerjet e ardhshme ishin më pak optimiste. Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar lehtësisht në rritje.