TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Lideri i demokratëve i është përgjigjur zv.ndihmës sekretarit të shtetit Gabriel Escobar pasi doli nga Prokuroria e Tiranës, i cili dje nuk e fshehu mbështetjen për Lulzim Bashën në një intervistë për "Zërin e Amerikës". Duke kuptuar se mbështetja amerikane buron nga fakti se Basha konsiderohet si një politikan i ri nga amerikanët, Berisha tha se Lulzim Brava nuk mund të jetë kurrë një shembull për rininë shqiptare, pasi është simbol i pabesisë.
“Të mbështesësh Lulzim Bashën sot, jo vetëm mbështet një kufomë politike. Por është më keq se kjo. Të mbështesësh Bashën, është një përçmim i madh, një shkelmim mbi politikanët e rinj shqiptarë. Ata që mendojnë se po më dëmtojnë mua, duke mbështetur Bashën, nuk i bëjnë llogaritë mirë. Problemi është më i thellë. Problemi është se çfarë shohin shqiptarët tani, kur ky politikani më i ri, është njeriu më i degraduar i politikës shqiptare. Nuk janë kështu të rinjtë e politikës shqiptare.
Është simbol i të pabesit, i përzier në afera korruptive, dhe bashkëpunon me krimin. U bëj thirrje agjencive të huaja të zbatimit të ligjit, ta hetojnë minimumi për larje parash”, tha Berisha.
Ai deklaroi disa herë se selia e PD do u kthehet demokratëve. Berisha tha se të dielën do ketë një takim në Shkodër. Berisha shpjegoi edhe si do vijojë lëvizja e tij.
“Unë tani ftoj demokratët e Shkodrës ditën e diel në orën 11:00 në Pallatin e Sportit. Selia do i rikthehet PD. Statuti i votuar nga delegatët në 11 dhjetor ka një nen që sanksionon se selia është ajo ndërtesë që sot Lul Brava e ka shndërruar në çerdhe krimi. Selia do u kthehet demokratëve, nuk ka forcë në botë që të marrë selinë dhe ta shndërrojë në kulla.
Tani do ketë takime të fuqishme me qytetarët, gjithçka në funksion të një strategjie: të largimit të narkoshtetit dhe përgatitjes së terrenit për protesta të fuqishme. Nuk mund të pajtohet ky popull të pajtohet me kufoma politike dhe të pranojë lidhje të tilla të tmerrshme të politikës me krimin.
Do ketë tryeza të rrumbullakëta, ku do elaborohen mendime për fusha të ndryshme, për probleme të ndryshme. Do ketë një veprimtari multidimensionale.
Pa asnjë dyshim, selia do i rikthehet demokratëve”, tha Berisha.