AKTUALITET, 24 Shtator 2022, 13:05

Berisha: Gabimi më i pafalshëm historik i PD-së është bërë më 27 prill 2021 nga Lulzim Basha

Berisha: Gabimi më i pafalshëm historik i PD-së është
Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët

Sali Berisha deklaroi sot, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, se gabimi historik i Partisë Demokratike është bërë më 27 prill 2021 nga ish-drejtuesi i saj, Lulzim Basha. Berisha thotë se Basha duhet të kishte thirrur pikërisht atë ditë protestat për rrëzimin e Edi Ramës, i cili sapo kishte konfirmuar mandatin e tretë, ndërsa demokratët e quajnë ilegjitim dhe të vjedhur. Berisha theksoi se Basha u mor peng nga Edi Rama dhe futi PD në një spirale shkatërrimtare.

“Revolta popullore ndaj këtij regjimi që nuk ka legjimitet është rruga kryesor për ta gjunjëzuar atë. Gabimi më i pafalshëm historik i PD-së është bërë më 27 prill 2021, kur pas atyre zgjedhjeve të dhunuara masivisht, kreu i saj dhe udhëheqja nuk thirri protesta për rrëzimin e Edi Ramës, por futi pasi ishte marrë peng nga Edi Rama, futi PD-në në një spirale shkatërrimtare, nga e cila u desh shumë kohë për të dalë”, tha ai.

Sipas ish-kryeministrit, PD nuk mund të zgjidhë problemet e tjera, pas zgjidhur më parë atë me Ramën.

“Sot gjykatat janë një degë e ekzekutivit. Problemi i PD është Edi Rama dhe pa zgjidhur problemin me Edi Ramën, nuk mund të zgjidhë problemet e tjera.

Prandaj ne kemi vendosur që këtë vjeshtë ta shndërrojmë në pranverën e protestave të mëdha”, tha ai.

Ftesë të hapur, Berisha iu bëri deputetëve që nuk i janë bashkuar. “Deputetë e PD janë të ftuar të bashkohen dhe të heqin dorë nga veglat e shëmtuara ku i vendosi Lulzim Basha. Unë i ftoj me zemër të hapur. Gjithë Shqipëria i shikon ku ata pa asnjë mandat partie bëhen shtojcë e grupit parlamentar të PD. Nëse deri dje mund të mos ishin të bindur se Basha ishte peng i Edi Ramës, besoj se sot nuk ka shqiptar që nuk e kupton që Basha ishte marrë peng për dosjen ruse. Mirëpres cilindo prej tyre që t’i bashkohet grupit”, tha ish-kryeministri.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve, Berisha e ka vënë theksin tek protestat, si mënyrën e vetme për të larguar Edi Ramën.

“Mënyra më intensive e komunikimit tim me ju, ka qenë përmes rrjeteve sociale. Sa i përket protestave, e vërteta është se polarizimi në këtë vend po rritet me shpejtësi dhe shtresa e mesme po shkon drejt asgjësimit e të varfërit po bëhen më të varfër. Rama votën nuk e pranon dhe i gjithë ky zhvillim dramatik, përmbysje në shtresat e shoqërisë ka një shkak themelor dhunimin e votën prej tij.

Protestat janë rruga për të cilën është përcaktuar fronti për shpëtimin e Shqipërisë. Ju garantoj se do të nisin shumë shpejt. Janë shtyrë, por edhe shtyrja bëhe për shumë aspekte e padurueshme. Grevat e protesta do të jenë rrugët për të rikthyer në Shqipëri shpresën e votën e lirë për të dalë nga regjimi totalitar”, tha Berisha.