TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prej shumë kohësh debatesh dhe diskutimesh, ligji për rikthimin e lojërave të fatit është gati të votohet në seancën e sotme plenare. Ndërkohë të martën, me një mbledhje të zhvilluar online, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë kaloi në tërësi ndryshimet te projektligji.
Në këtë mbledhje online interesante ishte se kompanitë e basteve nuk do të lejohen që të jenë sponsorë në fanellën e një ekipi, futbolli, basketbolli apo sporti tjetër. Reklamimin mund ta bëjnë nëpërmjet vendosjes së banerave gjatë eventit sportiv, apo në rrjete sociale dhe TV, por me fashë orare 22:00 deri në orën 8:00. Praktikisht në një ndeshje që do të luhet në orën 15:00-17:00, kompanitë e basteve nuk mund të bëjnë reklamë. Kjo do të mundësohet vetëm pas orës 22:00 të mbrëmjes.
“Ka një orar të kufizuar, ku mund të lejohet transmetimi i reklamave”, shprehet zv.ministrja e Financave Vasilika Vjero. Për një sqarim, deputeti Erion Braçe pyet: “Më shqip, nuk do të lejohet reklama gjatë transmetimit të ndeshjeve?” Përgjigjja ka ardhur nga kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi, i cili u shpreh: “Po, nuk do lejohet”.
SPONSORIZIMI – Një nen në këtë projektligj ishte se subjektet e licencuara për lojëra fati lejohen të sponsorizojnë skuadra sportive dhe të bëjnë publicitet në eventet sportive, me përjashtim të disiplinave nën kategoritë nën U-21. Ndërkohë deputeti Erion Braçe kishte një propozim.
Braçe: Nëse ndodh kjo, presidenti i FSHF-së është i ambientuar me këtë gjë, por duhet të them se nëse një kompani bastesh sponsorizon një ekip futbolli, ka marrë fund historia e garave sportive në këtë vend.
Vjero: Ky është propozimi
Braçe: Unë e kuptoj që lotaritë kombëtare, kazinotë, mund të sponsorizojnë ekipe sportive, por kompanitë që organizojnë baste në Shqipëri, se mundet në Britani rregullat janë shumë të forta dhe kanë kontroll tjetër. Në Shqipëri, kompanitë e basteve nuk mund të sponsorizojnë ekipe, ka një logjikë. Po, marr një shembull nga basketbolli. Është një bast se kush e kap topin në xhem, kur fillon loja. Dhe unë nuk kërcej, e lë sepse kompania që më sponsorizon mua mund të ketë grumbulluar 1 mln euro baste që e kapni ju topin dhe jo unë. Kështu e ndihmoj këtë gjë. Thjesht duke mos kërcyer aq lart. Ose duke vënë aty për të kapur topin një që është i gjatë sa unë. Iku, mbaroi gara sportive. Janë këto marifete, edhe ky i FSHF-së, na marrin për budallenj. Të gjithë lojërat e fatit mund të sponsorizojnë në ekipe, me përjashtim të basteve.
Vjero: Ne e lemë në gjykimin e Komisionit.
Shalsi: Ju bini dakord?
Vjero: Po, vetëm për bastet, këto të tjerat do të kenë mundësinë për të sponsorizuar.
Më tej, Shalsi e hedh në votim dhe anëtarët e Komisionit votojnë për të ndryshuar këtë pikë të nenit të nenit 5.
FSHF-ja DHE KOKSH-i –Të gjitha të ardhurat që do të vijnë nga tatimi i kompanive të lojërave të fatit, do të shkojnë te Fondi i Posaçëm. Më pas do të bëhet edhe ndarja e të ardhurave që do të shkojnë për sportin, kulturën dhe inovacionin. Kjo nëpërmjet një Komiteti me 7 anëtarë, ku përveç përgjegjësve të ministrive përkatëse, ishin pjesë edhe kreu i KOKSH-it Fidel Ylli dhe presidenti i FSHF-së Armand Duka.
Braçe propozoi që dy presidentët nuk duhet të jenë në këtë komitet: “Këta të dy nuk duhet të jenë këtu. Kjo është punë e qeverisë. Janë dy agjenci që nuk duhet të jenë kurrë në një komitet qeveritar sepse kjo ndalohet edhe statutin e tyre. Po shkelim statutin e tyre. Kur vjen vakti që të votohen për veten e tyre, thonë që po fut hundët qeveria”, u shpreh Braçe. Më tej Vjero e la po ashtu në gjykimin e Komisionit. Pas votimit ky nen u ndryshua dhe dy presidentët u përjashtuan nga ky Komitet.