AKTUALITET, 26 Shtator 2025, 18:33

Banorët në Përbreg të Kukësit protestojnë kundër ndërtimit të landfillit të ri: Ndot tokën dhe ujin

Banorët në Përbreg të Kukësit protestojnë

Në fshatin Përbreg të Kukësit pritet të nisë ndërtimi i një landfilli për menaxhimin e mbetjeve urbane. Projekti ka hasur në kundërshtinë e banorëve, të cilët paralajmërojnë se nuk do të lejojnë zbatimin e tij, duke thënë se vendimi është marrë pa konsultim publik dhe se rrezikon mjedisin dhe jetesën e tyre.

Sipas banorëve, landfilli do të krijoje ndotje për tokat bujqësore, burimet e ujit dhe ajrin, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e tyre. Ata shprehen të vendosur se do të ndjekin çdo rrugë ligjore për të ndalur projektin.

Më 28 gusht, gjatë prezantimit të Reformës për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve 2025–2030, ish-ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro, njoftoi se landfilli në Përbreg do të ndërtohet me financim të Bashkimit Europian dhe kap vlerën e 19 milionë eurove. Shqipëria do të ndahet në 10 zona menaxhimi, me qëllim ndërtimin e impianteve dhe landfilleve të reja që plotësojnë standardet e BE-së. Landfilli i Perbregut është parashikuar të shërbejë për tre bashki: Kukës, Has dhe Tropojë, dhe do përfshijë grumbullimin, seleksionimin dhe riciklimin e mbetjeve urbane. Deri tani nuk është publikuar ndonjë studim për ndikimin e tij ne mjedis.