AKTUALITET, 2 Mars 2023, 21:32

"Balla takoi McGonigalin në Nju Jork!"/ Enton Abilekaj tregon ç'ndodhi pas takimit mes deputetit dhe ish agjentit të FBI

"Balla takoi McGonigalin në Nju Jork!"/ Enton Abilekaj tregon
Enton Abilekaj dhe Taulant Balla

Enton Abilekaj ka folur për një takim të zhvilluar mes deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe ish agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili tashmë po përballet me akuza penale në SHBA. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" më MCN TV, Abilekaj tha se Balla u takua në vitin 2018 me McGonigal në Nju Jork dhe fill pas këtij takimi ai ka deklaruar në Shqipëri, se ka një hetim nga FBI ndaj Partisë Demokratike. 

"Në 2018, Zoti Balla ka shkuar në Nju Jork dhe Uashington dhe sapo është kthyer, ka anonçuar që ka një hetim të FBI për Partinë Demokratike", tha Abilekaj. 

Kujtojmë se Charles McGonigal, ndër të tjera, akuzohet se ka hapur një hetim me informacione të ardhura nga Agron Neza, person që ai e njihte dhe i kishte marrë para, pa e deklaruar se ky "informator" ishte në fakt një person i njohur për të. Hetimi i hapur nga FBI, ishte ndaj lobistit që përdori Partia Demokratike në SHBA. Çështja shkaktoi shumë bujë dhe akuza për lobim me para ruse dhe influenca ruse në Partinë Demokratike.