AKTUALITET, 30 Nëntor 2023, 22:41

Artan Hoxha: Bisedat në SKY po përdoren për gjyqe popullore, për gjueti shtrigash

Artan Hoxha: Bisedat në SKY po përdoren për gjyqe popullore,

Gazetari investigativ, Artan Hoxha, u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, se bisedat e rrjedhura nga aplikacioni, SKY ECC,  po përdoren në Shqipëri për gjyqe popullore. Sipas tij, nëse këto do të përdoren, siç janë përdorur deri tani, politikisht, për gjueti shtrigash, atëherë do të bëhet vetëm një zhurmë e madhe.

“SKY ka qenë një rrjet komunikimi, një program ku mund të bisedosh. Brenda atij programi kanë hyrë persona që kanë patur interes për atë lloj komunikimi që në atë kohë është thënë se ishte sekret. Madje pjesa më e madhe e atyre që kanë dalë sot në BE janë sekretet ekonomike, sepse kanë përdorur spiunazhin tregtar, më shumë se narkotrafiku e të tjerat.

Në rastin konkret në Shqipëri këto janë indicie që duhet të kombinohen me provat që të marrin vlerë në gjykatë. A kanë komunikuar? Po, sepse e kanë përdorur si mjet. Unë nxorra një përgjim për çështjen CEZ-DIA që më pas u asgjësua nga prokuroria dhe aty ti shikoje brenda kryetarin e Kuvendit, zv.kryeministrin, ministrin, pronarë mediash. Sot njerëzit përdorin Telegram, Signal. Një zyrtar të pyet sot: A ke Signal? Pse e kërkon këtë gjë? Sepse mendon se këta sot kanë vetëm programin e Whatsapp dhe nuk përgjojnë këto të tjerat. Nëse ti ke marrë këto biseda që t’i kanë sjellë nga jashtë dhe ti me ato biseda në vend që të hetosh, të gjesh prova, të fajësosh persona përgjegjës, ti del dhe ia jep për gjyq popullor, ti ke mbaruar punë me atë çështje. Ti jep vendim ça të duash, opinioni publik e ka marrë vendimin.

Ne kemi parë emrin e një personi që u del të SKY se po merret me trafik kokaine, por ai nuk e ka bërë në Shqipëri. Ai i hipën avionit dhe shkon e dorëzohet në Belgjikë dhe u thotë: emri im ka dalë te materiali juaj, më gjykoni! Dhe ai thotë: Unë nuk ka procedim për ju. Nëse këto do të përdoren, siç janë përdoren deri tani, politikisht, për gjueti shtrigash, ka vënë në panik të gjithë drejtuesit e policisë se mos u del emri. Nuk ka gjë se të del emri se aty flitet për lloj-lloj gjërash, por si provohet. Çfarë më duket propagandë mua është ajo kur del një ministër dhe thotë se kush ka përdorur SKY, të largohet nga detyra. Po sikur ata që kanë përdorur SKY të mbajnë mend se edhe ministrat e përdornin. Duke hyrë në këtë lojë pa e materializuar me prova konkrete, atëherë ke bërë një zhurmë të madhe”- u shpreh Hoxha.