AKTUALITET, 18 Mars 2023, 10:41

Arrestimet në radhët e OSHEE për fermat e kanabisit, punonjësit e Krujës në ditën e dytë të protestës: Nuk ofrojmë shërbime deri në zgjidhjen e situatës

Arrestimet në radhët e OSHEE për fermat e kanabisit,

Për të dytën ditë radhazi 70 punonjës të OSHEE Krujë kanë vijuar protestën në lidhje me arrestimin e kolegëve të tyre.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë, ku në fshatin Halil nga një aksion antidrogë të ndërmarrë nga policia është konstatuar një tunel i braktisur i ushtrisë ku janë konstatuar fidanë kanabisi.
Janë njoftuar punonjësit e OSHEE të zonës për të gjetur lidhjen e energjisë elektrike të këtij tuneli.

Nga OSHEE është konstatuar me vështirësi të madhe pasi kishte mbi një kilometër kabull të shtrirë nën tokë pranë një shtylle e cila ishte shpuar në bazamentin e saj e cila vizualisht ishte e pamundur të identifikohej.

Punonjësit e OSHEE janë detyruar të bëjnë kontroll nga lart të të gjitha shtyllave në zonë derisa është konstatuar lidhja e jashtëligjshme e cila furnizonte tunelin që shërbente si serë.

Në bashkëpunim me policinë OSHEE ka ndenjur në gatishmëri duke i ndihmuar për çdo nevojë që policia kishte.

Më pas 8 punonjësit e OSHEE janë shoqëruar në polici ku janë marrë në pyetje për mënyrën sesi ishte bërë lidhja e tunelit.

Në këtë moment është prerë fletë-arresti për 4 prej tyre, ndërsa 4 të tjerë janë lënë të lirë.

70 punonjësit të cilët kanë vijuar të protestojnë edhe sot kanë deklaruar se nuk ofrojnë asnjë shërbim, duke përjashtuar familjet me pjesëtarë me nevoja të veçanta.

Punonjësve të OSHEE i janë bashkuar edhe 70 punonjës të OSSH në mbështetje të kolegëve të tyre.