TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Eksperti i sigurisë rrugore, Fatmir Hasho, ka deklaruar se situata e aksidenteve në vend është alarmante, pas ngjarjes tragjike ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë. Ai tha se vetëm në tre javët e fundit janë regjistruar 23 viktima nga aksidentet rrugore. “Për tre javë 23 shtetas shqiptarë. Është alarmante. Edhe në luftë nuk vriten kaq njerëz,” u shpreh Hasho.
Ai shtoi se situata nuk është e re dhe sipas tij, masat e marra ndër vite nuk kanë dhënë efekt. “Shteti nuk ka lëvizur 1 mm nga istikami prej vitesh. As rrugët, as sinjalistika nuk kanë ndikuar sa duhet, përderisa kemi këtë numër ngjarjesh,” -tha ai.
Hasho theksoi gjithashtu se sjellja në timon është përkeqësuar, duke përmendur përdorimin e alkoolit dhe drogave si një nga shkaqet kryesore të aksidenteve. “Shqiptarët janë shumë të egërsuar në timon. Makina të fuqishme, shpejtësi e lartë dhe përdorimi i alkoolit e drogave e kanë përkeqësuar situatën,” u shpreh ai.
Duke u ndalur te aksidenti i fundit në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë, Hasho tha se drejtuesi i mjetit ishte në gjendje të dehur dhe me histori problematike në rrugë, përfshirë edhe raste të mëparshme ndëshkimi dhe heqjeje patente. Sipas tij, banorët e zonës kishin raportuar më herët sjelljen e rrezikshme të shoferit, por mungesa e reagimit institucional ka sjellë pasoja tragjike. “Duhet parë ku ka dështuar reagimi i institucioneve lokale dhe policisë, kur sjellje të tilla janë raportuar më herët,” shtoi ai.